Për herë të parë në Shqipëri, u çel pak ditë më parë Festivali Ndërkombëtar i Artit të Grave “Frida”, për të evidentuar dhe bashkuar në një event të gjitha gratë që po çojnë përpara artin pamor në botë. Janë 150 artiste nga 40 vende, që kanë përkthyer unin e tyre në telajo, teksa fuqia e penelit dhe figuracioneve shijohet edhe në sytë e gjinisë së kundërt.
Me të njëjtën filozofi, edhe në botë në zhanere të ndryshme artistike zhvillohen Festivale që mbajnë emrin e një prej artisteve më të njohura Frida Khalo.
Pas thirrjes së hapur që u është bërë artisteve për të marrë pjesë, me dy kritere të vetme, që të jenë artiste gra dhe të ekspozojnë punime në letër, u bë një përzgjedhje e kujdesshme për të sjellë në syrin e publikut një ekspozitë të plotë e të veçantë.
Një nga elementët e rëndësishëm të këtij aktiviteti është sigurisht vlerësimi me tre çmimet për tre punimet e përzgjedhura nga juria, dhe çmimi për artisten e re shqiptare më të mirë. Anëtaret e jurisë, tre personalitete të artit pamor, Dr.Nadja Zgonik, artiste, kritike dhe profesore e artit në Slloveni, Ikbal Bushati Kalaja, ish-Dekane e Fakultetit të artit në Shkodër dhe Najada Hamza, artiste, kuratore dhe profesore në FAB Tiranë.
Me çmimin e tretë u vlerësua artistja Dorota Bujak nga Polonia.
Me çmimin e dytë artistja Ninfa Pema, nga Italia.
Ndërsa fituesja e çmimit të parë Irena Paskali nga Gjermania.
Ndërsa fituesja e çmimit “Artisti i Ri Shqiptar më i mirë” është Ema Bregu.
Të gjithë do të kenë mundësi të shohin nga afër punimet e artisteve përgjatë një muaji, deri me 25 nëntor. Gjatë kësaj kohe që ekspozita do të jetë e hapur, programi edukativ i GAT do të vazhdojë të organizojë aktivitete, workshope të cilat do na japin mundësinë të njihemi me ikona si Frida Kahlo por edhe prezantime të tjera të rëndësishme.