Dhe ja ku erdhëm, për festat më të gëzuara, në periudhën më të bukur të vitit, tashmë jo vetëm për çështje stili. U rikthyem sepse të gjithë kthehen këtë muaj në qytet, në vendlindjen e tyre pranë njerëzve të zemrës, pranë së ngrohtës familje.

Ngado që hedh sytë sheh veçse drita, shkëlqim, hare e njerëz të përmalluar nga viti i gjatë ndarës, gati për t’u ribashkuar sërish në tryezën familjare të Krishtlindjes dhe Vitit te Ri. Sa shumë mirësi që sjellin këto festa e sa shumë dashuri që shprehim në to…Aq shumë sa s’mund të rrinim pa iu uruar, e ndërsa ju na tregoni dhuratat, planet për të festuar, veshjet që keni zgjedhur dhe mbi të gjitha se ku do t’i kaloni lexojeni edhe këtë urim, sepse është për ju, protagonistët e vërtetë të këtij muaji festiv.

Magjia e këtyre festave është ajo që na bën të besojmë fort se ky muaj ka diçka të veçantë me gjithë historitë që shënohen në ditët e tij, gëzimet dhe të qeshurat që mbushin çdo moment dhe sigurisht dritat e vargjet e lodrave që plotësojnë bukur pemën legjendare të Vitit të Ri.

Ne jemi pjesë e atyre që besojnë se kjo “magji” është e pakrahasueshme me asgjë tjetër, pasi ndjesia që përjetojmë gjatë këtyre festave është unike dhe sigurisht që fragmentet e regjistruara në këtë sezon rikthehen çdo vit si déjà vu të momenteve me të bukura, pranë njerëzve më të dashur.

Ne jemi gjithashtu pjesë e atyre që besojnë se ka një “Babagjysh” për gjithsecilin prej nesh, në fund të ditës është gjithmonë dikush që do të na bëjë të lumtur dhe është i gatshëm të bëjë gjithçka vetëm që në shkëmbim të shohë sy që shndërrisin nga gëzimi, të qeshura dhe falënderime.

Prandaj mos harroni oxhakun ndezur, trokisni gotat dhe kalojini këto ditë aty ku keni zemrën. Nga Biondia dhe Brunia, GEZUAR 2017!