Foto: Medea Milo


Gjithçka nis që me lindjen tënde. Që në atë ditë, ku jo të gjithë u gëzuan. Dhe kjo, pikërisht sepse linde femër…Dhe çdo vit e në vazhdim gjërat veçse u vështirësuan…Në fëmijëri të thonë mos u bëj pis, mbaji rrobat pastër sepse je vajzë, sillu mirë, mos bërtit sepse nuk je djalë. Më pas në gjimnaz, duhet të lexosh mos të merresh me “të dashur”, je e vogël e gabon, eksperiencat të dëmtojnë sepse ti thjesht nuk je djalë…Ndërkohë nga ana tjetër, djemtë inkurajohen të shtojnë eksperiencat për vetë faktin e thjeshtë se janë meshkuj e se gjërat për ta, llogariten krejtësisht ndryshe…

Kur je e bukur, hera-herës mërzitesh sepse për “ata” je thjesht e bukur dhe aspak inteligjente, kur je shumë e zgjuar, okej ke tru, por nuk je “gjë”, kur ha dhe je e kolme je “si lopë”, kur nuk ha dhe je e dobët, ngjan kockë e lëkurë dhe kjo sepse etaloni matës për ty do të jetë gjithmonë bukuria, pamja për ty si femër do të jetë gjithmonë parësorja. Kuptoje më në fund se duhet TE JESH e bukur dhe jo TË NDIHESH  e bukur …

Foto: Medea Milo


Ke gjithmonë një rol të paracaktuar në shoqëri, punë, familje dhe e ke aq të vështirë të dalësh nga këto korniza sa ndonjëherë as nuk përpiqesh fare për ta ndryshuar fatin tënd sepse ti thjesht duhet të mësohesh me atë që “ata” kanë rezervuar për ty.

Nuk mund të jesh e dhënë pas karrierës pa një imazh të pacënuar, “të gjithë e dimë sesi ngjiten shkallët me fundin e ngushtë dhe belin e hollë”, dhe nuk mund të bëhesh familjare pa u kujdesur për shtëpinë, gatimin, pastrimin e çdo gjë bazike për një jetë të organizuar dhe me higjienë.

Ndoshta mund ta mbash dhe ekonominë e shtëpisë, por pse të rrezikojmë? Zërat thonë që ti ose do t'i bësh çanta të gjitha ose këpucë. Varet cilin dyqan rastis të parin kur sapo del nga shtëpia.

Dhe pastaj ato serialet amerikane që ta kanë mbushur mendjen se je e pavarur, ke aftësi, guxim, kurajo për t’ia dalë vetë pa ndihmën e një mashkulli…Por, a mund t’ia dalim ne pa një mashkull? Sigurisht që jo, prandaj le të shohim më mirë ato telenovelat turke ku gratë “bëjnë hajër” vetëm kur janë të ndershme dhe të martuara me një burrë “burrë” e të pasur…sepse është prej tyre që duhet mësuar.

Foto: Medea Milo


E këtë gjë në fakt, nuk e shohim të pasqyruar vetëm në televizion, e shohim pa fund në jetën reale tek ish-shoqja jonë e gjimnazit, te një nga koleget e punës apo qoftë edhe te komshia përballë, të gjitha këto, vajza që i janë përshtatur realitetit të hidhur se pa një burrë në krah, jeta nuk ofron oksigjen dhe sigurisht që pa të, askush nuk mund të marrë frymë! Kjo s’mund të quhet mënyrë jetese, për të mos thënë që është vetëm një përpjekje për mbijetesë, një përulje e radhës ndaj burrit që të mban “me gjithë të mirat”…

Mos ndoshta jemi duke i bërë gjërat gabim? Mos ndoshta do të ishte më mirë të fillonim të numëronim vlerat tona e të përballemi vetë me gjithçka që e përditshmja na servir? E dimë, nuk është e thjeshtë, ashtu siç dimë gjithashtu se shumë dyer na mbyllen e na stërmbyllen sa herë që matemi të trokasim për t’i ofruar vetes një mundësi, por le të mos lodhemi duke provuar sepse duhet të dimë që thellë brenda vetes tonë ka një forcë të pashtershme që buron vazhdimisht…

Foto: Medea milo


Buron nga zemra duke dashuruar me pasion dhe nga fiziku duke mos u lodhur kurrë së bëri punë që në fund të ditës askush nuk i di, e aq më pak askush nuk denjon t’i vendose një çmim! Një punë totalisht e zhvlerësuar ku askush nuk vë re asgjë, askush nuk vë re se dyshemeja është pastruar, se rrobat janë larë e hekurosur e se ushqimi është gati në çdo vakt që kërkohet…Na thoni tani, po të mos i bënim këto gjëra, a do të na vinin njëqind të shara e ofendime të tipit “pse nuk ke gatuar asgjë, paske ndenjur kot gjithë ditën”, e ndërkohë ti brenda vetes numëron të gjitha gjërat e tjera që ke bërë gjatë atyre orëve, por a vlen ta përmendësh me zë të lartë? Sigurisht që jo, sepse askush nuk do ta kuptojë rëndësinë dhe impenjimin që ato kërkojnë dhe ti sërish do të mbetesh bosh, njësoj si pjata e atij vakti…

Foto: Medea Milo


E megjithatë jetën pa ne nuk e shohin dot, ose edhe nëse e shohin ajo është pa ngjyra gjithsesi. Pa zemrën e ngrohtë të një nëne, buzëqeshjen e vajzës, besnikërinë dhe dashurinë e pakushtëzuar të gruas që të ngrenë peshë sa herë që jeta të përplas furishëm në shkëmbinjtë e egër të saj.

E vërtetë është, të shumta janë sakrificat tona dhe ende nuk e kemi në këtë botë vendin që na takon, por pa ne gjithë bota do të ishte bardhezi, pa ne meshkujt do të shihnin bardhezi, ose më sakte, pa ne ata do të shihnin vetëm zi.