Për revistat ndërkombëtare është një praktikë e zakonshme të sjellin këshilla stili, veshjeje apo flokësh nga street style. Veçanërisht gjatë javëve të modës, në qytetet ku zhvillohen ato, fotografët mund të gjejnë në rrugë personazhe shumë interesantë me veshje unike dhe me zgjedhje që kthehen në modë. Modelet profesioniste, blogeret e mbledhura në qytet, por edhe personazhe të panjohur që tërheqin syrin e editorëve të modës, me stilin e tyre, bëhen pjesë e revistave për t'u kthyer në frymëzim për qindra mijëra lexues.

Edhe Vogue Paris, në anglisht, ka realizuar një artikull me "30 modelet cool të flokëve për në verë" duke sjellë mënyra të ndryshme të kapjes së flokëve të 30 modeleve apo fashionisteve që janë fotografuar kryesisht në javën e modës në Paris dhe...surprizë mes tyre edhe një vajzë nga Shqipëria, Borana Baci! Një emër që ndoshta nuk e keni dëgjuar kurrë, por Borana nuk është aq e panjohur. Ajo është shoqja e ngushtë e blogeres Armina Mevlani dhe janë vazhdimisht bashkë në foto. Ndoshta edhe në udhëtimin në Paris kanë qenë të dyja. "Ne të dyja përgjithmonë", i përgjigjet Borana komentit të Arminës në artikullin e Vogue që shoqja e saj ka postuar.

"E gjeta veten papritur në Vogue!!! Ende nuk mund ta besoj, jam mes 30 femrave që ndjek dhe vlerësoj shumë!!", ka shkruar ajo.

Mes tyre, është Gigi Hadid. Ndoshta kaq mjafton.