Disa nga rrugët kryesore të Tiranës do të jenë të bllokuara të mërkurën, ndaj këshillohet që të shmangni lëvizjen me makina në disa prej rrugëve kryesore. Duke filluar nga ora 20:00 nesër e deri më 6 korrik do të zhvillohet panairi i automjeteve Gumball 3000.

Njoftimi i Policisë:

Më datë 05.07.2017, në sheshin Nënë Tereza duke filluar nga ora 20:00, do të zhvillohet panairi i karvan i automjeteve Gumball 3000, i cili do të vijojë deri më 06.07.2017.

Për sigurimin e rendit, Policia e Tiranës do të marrë masa sigurie duke bllokuar segmentet rrugore: Nga ura e Bubqit – Lapidari Fushë Prezë – Rinas – Qaf Kashari, segment i cili do të jetë i bllokuar në të dyja senset e lëvizjes.

Mbikalimi Qaf Kashar – Autostrada Durrës Tiranë – Sheshi Shqiponja – Sheshi Rilindja, segment rrugor i cili do të bllokohet vetëm në sensin e lëvizjes hyrës për në Tiranë.

Rruga e Durrësit – Shesh Banka – Rruga Ibrahim Rrugova – Rruga Myslym Shyri – Bulevardi Dëshmorët e Kombit, segment i cili do të jetë i bllokuar në të dyja senset e lëvizjes.

Segmentet e sipërpërmendura do të jenë të bllokuara rreth orës 19:30 deri në përfundim të lëvizjes së mjeteve të këtij evenimenti në sheshin Nënë Tereza. Policia e Tiranës u kërkon përdoruesve të mjeteve të bëjnë durim dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në këto segmente rrugore.