Me pesë komponentët e njohur tashmë, të gjithë kandidatët për studentë kanë nisur përllogaritjen e pikëve bazuar në formulën e shpallur për degët që dëshirojnë.
Panorama ka publikuar sot tabelën me pragun minimal hyrës në fazën e parë të shpalljes së fituesve, përpara uljeve të njëpasnjëshme të vizës së kuqe, që ndante fituesit me humbësit. Në garën e këtij viti, raundet mbeten dy, por me faza të përcaktuara regjistrimesh 48-orëshe, çka duket se do të garantojë moszvarritjen e procesit.
APLIKIMI
Për dhjetë ditë, të gjitha shkollat e mesme duhet të kenë përllogaritur notën mesatare për secilin maturant që kandidon për ndjekjen e studimeve. Ajo që duhet të bëjnë këta të fundit përpara aplikimit në portalin e maturës është pagesa e mandatit prej 2 mijë lekësh në zyrat e postës apo në një bankë të nivelit të dytë, për ta dorëzuar në shkollë me qëllim hedhjen në sistem të notës mesatare.
Aplikimi online në portalin e maturës nis pas dy javësh, nga data 20 - 29 korrik dhe bëhet në bazë të një kalendari datash që pritet të publikohet këto ditë nga Qendra për Shërbimet Arsimore. Nga lista dhe degët, kandidatët do të duhet të listojnë dhjetë programe në universitetet publike e private që ofrohen në vend.
“Maturantët aksesohen në portal me kredencialet e tyre: ID e kandidatit, emri, atësia, mbiemri, karta e identitetit, e-maili i kandidatit e të tjera. Kandidatët zgjedhin deri në dhjetë programe studimi nga lista e programeve të studimit, që ofrohen nga IAL-të publike/jopublike për vitin akademik 2017-2018”, përcaktohet në udhëzimin e Ministrisë për pranimet në universitete. Ashtu si vitin e kaluar, në portal nuk do të mund të aplikojnë ata që nuk kanë pragun minimal hyrës të vendosur nga qeveria: nota 6.
GARA
Në përfundim të procesit të aplikimeve, brenda 23 gushtit, QSHA duhet t’u nisë universiteteve listën e aplikantëve bashkë me të dhënat për secilin prej tyre: notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, rezultatet e provimeve të maturës, mesataren e gjimnazit, atë të maturës shtetërore, atë të përllogaritur sipas VKM-së nr.346, datë 19.04.2017, dhe indekset e profileve të shkollave të mesme. Në bazë të treguesve të mësipërm dhe formulës së përcaktuar më herët nga vetë ata, universitetet bëjnë rankimin e kandidatëve në varësi të pikëve të grumbulluara dhe kuotave në dispozicion. Në udhëzimin e Ministrisë për pranimet e reja, ky proces duhet të përfundojë brenda 28 gushtit, datë kur në çdo fakultet janë afishuar listat e aplikantëve fitues, duke i hapur rrugë një ditë më pas procesit të regjistrimeve për fazën e parë.