Askush nuk ndjek dieta më të çuditshme sesa personazhet e njohur tw showbiz-it. Presioni i jashtëzakonshëm i Hollywood-it për të pasur gjithmonë një trup super të hollë ka ndikuar që shumë prej dietave të VIP-ave të jenë shembull për të gjithë ne, edhe pse disa prej tyre kanë ndjekur regjime drastike për të pasur linja perfekte.

Megjithatë, sipas dietologëve, disa prej dietave që ndjekin të famshmit, në të vërtetë nuk japin të njëjtat rezultate si në teori. Megjithëse një pjesë e mirë e tyre ndjekin dieta të çmendura, disa bëjnë që të fitosh peshë në vend që të humbasësh. Një prej këtyre rasteve është edhe dieta e mbretëreshës së pop-it.  

Kur mbretëresha Bey ndjek një dietë dhe një specialist e miraton, ne të gjithë përulemi dhe ndjekim shembullin (edhe pse shpesh është e vështirë t’ia dalim). Por edhe Bey-t, ashtu si të gjithëve, i ndodh të dështojë me regjimin.

Kur Beyoncé iu rikthye dietës së saj, Master Cleanse, për të humbur peshë për rolin në ‘Dreamgirls’, pati një rezultat shumë të mirë dhe një pastrim tërësor të organizmit. Megjithëse humbi 20 kilogramë, sipas ekspertëve, kjo dietë nuk është shembull i mirë për t’u ndjekur. Bonnie Taub-Dix, R.D., dietolog, tha për CNN se kjo lloj diete, fillimisht pastron organizmin, duke u nisur edhe nga humbja e sasisë së madhe të ujit, por këto pastrime, në të vërtetë ngadalësojnë procesin normal të metabolizmit. Kjo mënyrë, me shumë gjasa, të bën të fitosh peshë menjëherë sapo të ndalosh dietën…. Siç i ndodhi edhe Beyonce-s.

Të njëjtën gjë konfirmojnë edhe një grup specialistësh, të cilët kanë ndjekur për shumë vite me radhë dietat e të famshmëve. Master Cleanse është një dietë e cila ju bën që t’i fitoni shpejt kilet që keni humbur pas saj.

Megjithatë, me disa kilogramë më pak apo më shumë, ne na ka pëlqyer gjithmonë Bey me format e saj të kolme, apo jo?