Po afrojnë datat e sesionit të dytë të provimeve të Maturës Shtetërore. Sipas udhëzimit të nxjerrë nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve, sesioni i dytë nis më 26 gusht dhe përfundon në 6 shtator.
Provimi i parë është Gjuha Shqipe dhe Letërsia, për të vazhduar me Matematikën më 29 gusht, Gjuhën e Huaj më 1 shtator dhe provimet me zgjedhje në 6 shtator.
Në provimet e sesionit të dytë të Maturës Shtetërore marrin pjesë maturantët që kanë rezultuar ngelës në një ose më shumë provim të sesionit të parë, maturantë që kanë ngelur në një ose më shumë lëndë gjatë vitit shkollor dhe i kanë shlyer provimet deri më datë 22 gusht, kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2017, por nuk kanë shlyer provimet e Maturës Shtetërore, kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë Shqipërisë dhe kanë njësuar dokumentet.
Të gjithë ata që do të marrin pjesë në këto provime duhet të plotësojnë formularin A1 Z, ndërsa kandidatët që kanë përfunduar studimet para 2017-ës duhet të regjistrohen në shkollën ku kanë studiuar. Ata që kanë studiuar jashtë vendit duhet të regjistrohen në shkollën që u cakton DAR ZA e zonës së tyre. Edhe ata duhet të plotësojnë formularin A1 Z në datat 21 deri më 23 gusht.
Sipas udhëzimit të nxjerrë në mars të këtij viti, maturantët e ZA Delvinë do t'i zhvillojnë provimet në Sarandës. Provimet e lëndëve me detyrim do të zgjasin dy orë e gjysmë, ndërsa të tjerat tri orë, ata që kanë vetëm një provim me zgjedhje, duhet të hyjnë në orën 11.00 dhe të dalin në orën 13.00.
Pas përfundimit të këtij procesi, të gjithë maturantët e interesuar për studimet e larta do të nisin aplikimet e pranimit në universitetet që dëshirojnë të vazhdojnë.