Amad, djali i madh i Sidrit Bejlerit, është sot 7 vjeç dhe një fëmijë që i bën gjithmonë krenarë prindërit e tij për rezultatet në mësime dhe sjelljen shembullore. Emel, motra e tij, është një vajzë e bukur 4-vjeçare. Edhe ajo ecën në gjurmët e prindërve, madje ka filluar edhe këndon këngët e të atit… Të paktën prirjet i ka për muzikë, edhe pse është akoma e vogël për të kuptuar se ç’rrugë do të vendosë në jetë: atë të shkencës si e ëma, Meri (biologe) apo atë të atit?

Ata të dy mund të bëhen ç’të duan, mjafton të jenë të shëndetshëm e jetëgjatë. Çfarë më shumë se kaq do të dëshironte çdo prind?

Amadi dhe Emeli, sot duhet të kishin edhe një motër më të madhe. Sot, duhet të ishte 10-vjetori i Sofi Sidrit Bejleri, por për fat të keq, ajo e sheh nga lart familjen e saj.

Këngëtari i njohur, përmes një postimi në Instagramin e tij, e ka ndarë dhimbjen e këtij kujtimi të hidhur të jetës me të gjithë miqtë, siç thotë ai, “për të tërhequr vëmendjen se kushdo dhe kurdo mund të sprovohet me të afërmit e tij... “

Kjo është Sofi Sidrit Merjem Bejleri.

Them është sepse do vazhdojë të jetë për mua, deri ditën që do mbyll sytë dhe do e takoj andej, dashtë Zoti!

Sot do mbushte 10 vjeçe, por Zoti me plotfuqishmërinë e Tij e mori, ashtu dhe siç na e dha...

Dikush mund të thotë, po ky pse na tregon dhimbjen e tij? Nuk e postova për këtë, por desha të krenohem me dhuratën që na e dha Zoti për 19 muaj dhe njëkohësisht t'ju tërheq vëmendjen se kushdo dhe kurdo mund të sprovohet, me të afërmit e tij...

Se nuk ikën domosdoshmërisht, plaku para të riut, i sëmuri para të shëndetshmit dhe prindi para fëmijës...

Askush nuk është i përjetshëm në këtë jetë.

Të Zotit jemi dhe tek Ai kthehemi.

Qofsh lule e Xhenetit Sofia jeme!”

Asgjë më shumë për të shtuar pas këtij postimi që, përveç një kujtim i dhimbshëm, është një mesazh i madh për të dashur më shumë.