Gjithçka është mbyllur në barazim në ndeshjen e Shqipërisë me Maqedoninë në fushën e vështirë të Strumicës, megjithëse Kombëtarja Shqiptare kaloi e para në avantazh.

Pjesa e parë e lojës, e dominuar nga Maqedonia, u mbyll në barazim 0 – 0 dhe vetëm në minutën e 8-të të pjesës së dytë, në stadiumin “Mladost”, një goditje e Odise Roshit bëri që Shqipëria të kalojë në avantazh. Edhe pse maqedonasit filluan të kërkonin golin e barazimit, kombëtarja kuqezi u duk se u tërhoq në mbrojtje të rezultatit.

Futbollistët e Maqedonisë u hodhën në sulm duke rrezikuar disa herë portën kuqezi, deri në minutën e 77-të, kur një krosim nga e majta e maqedonasve përfundoi në dorën e Odise Roshit. Edhe pse në mënyrë të pavullnetshme, arbitri suedez Ericsson akordoi 11-metërsh për vendasit.

Nga penalltia, Trajkovski barazoi shifrat në 1-1, rezultat me të cilin u mbyll krejt takimi. Rezultati për kuqezinjtë konsiderohet pozitiv, pas një fushate të vështirë kualifikuesesh, sepse arrijnë të mbajnë vendin e tretë në grupin G.

Në ndeshjet e tjera të grupit tonë, Spanja mundi 8-0 Lihtenshtajnin, ndërsa Italia mundi minimalisht 1-0 Izraelin. Iberikët kryesojnë grupin me 22 pikë, 3 më shumë sesa Italia, ndërsa Shqipëria është në kuotën e 13 pikëve, 4 më shumë se Izraeli me 9 pikë në vendin e 4-t. Ndjekin Maqedonia me 7 pikë dhe Lihtenshtajni me 0.