Batuta e famshme e Blendi Fevziut me Artan Lamen, mes një tensioni të pazakontë në Opinion, edhe pse ka kaluar më shumë se katër vjet, që nga maji i 2013-ës, nuk është harruar nga publiku. Madje, “Pusho, pushooo” është kthyer në një shprehje të përditshme, të zakonshme, e cila të sjell të qeshura e të çon menjëherë në debatin e hershëm Fevziu – Lame.
Megjithatë, sot, për 20-vjetorin e programit të tij maratonë, ashtu si të gjithë, edhe Blendi me Artan Lamen qeshin me gjuhën e ashpër të katër viteve më parë, nxitur nga debati i atij emisioni.
I ftuar pasditen e sotme në Opinion me rastin e 20-vjetorit të tij, kreu i ALUIZNI-t, nuk ka ardhur vetëm, por me një jatagan si dhuratë simbolike për Blendi Fevziun dhe programin e tij të gjatë. Por këtë herë, natyrisht, jo për t’u zënë.
Pyetjes së Fevziut “si ka mundësi që nuk qetësohesh asnjëherë në emision”, Lame iu përgjigj: “Arsyeja është shumë e thjeshtë. Unë i besoj ato që them…”, duke mohuar kategorikisht që bën teatër në program, siç mund të mendojë një pjesë e mirë e jona: “Ka ndodhur ndonjëherë që pas emisionit, në atë kafen që pimë, të them “hë, se e kalova pak masën…” – i drejtohet ai Blendit dhe ky i fundit ia kthen: “Jo, ti zihesh edhe në kafe…”
Por nuk është kjo më e bukura e batutës së famshme “Pushooo” të Fevziut. Rasti më i bukur pas saj, kujton me të qeshur Lame, ishte kur gazetari dhe moderatori i Opinion ishte me të bijën, Alis, kur u takua kren e ALUIZNI-t. Edhe vajza e Blendit kishte dëgjuar në kopësht për një xhaxhi, të cilit i ati i kishte bërtitur në emision, por ende nuk e kishte mësuar kush ishte dhe arsyen, aq më pak s’e kishte kuptuar: “Po, vajza kishte dëgjuar në kopësht për këtë dhe kur u takuam, i thashë “ky është ai xhaxhi që i kam bërtitur në emision… dhe u tmerrua” – tregoi Blendi me të qeshur.
Qetësinë, Lame e ka të vështirë ta ruajë, siç e thotë edhe vetë, por sot e kishte lënë mënjanë debatin dhe sherrin. Ai i solli Blendit edhe një shpatë, përveç jataganit, dhe i shpegoi dy botë dhe dy mendësi të ndryshme – atë mes Osidentit (shpata) dhe Orientit (jatagani). E para përballet me të vërtetën dhe të drejtën siç është, ndërsa Orienti, sipas Lames, ka gjetur gjithmonë një mënyrë me dredha, një mëndësi të manipuluar të menduari: “Unë kam zgjedhur këtë për vete…” tha Lame duke mbajtur në dorë shpatën, ndërsa Blendi, i ndier keq, mbeti me jataganin në dorë: “Domethënë mua më rrase këtë…”