Andresa Ambrosio erdhi në Shqipëri së bashku me disa balerinë të tjerë nga Brazili për të kërcyer këtu për disa kohë. Ishin vigjiljet e Krishtlindjeve të vitit 2009 kur balerina e bukur braziliane erdhi me mendimin për të qëndruar maksimumi gjashtë muaj, por gjërat rrugës ndryshuan… ja ku është sot, pas 7-vjetësh në “E diela shqiptare.”

Sot, programi në të cilin ajo u bë pjesë për kaq shumë vite feston 10-vjetorin dhe me këtë rast, në një tryezë të përbashkët producenti Ardit Gjebrea ka ulur edhe bashkëpunëtoret e tij më të ngushta, ndër të tjera edhe Blerina Bombajn, Eni Çobanin dhe natyrisht, Andresën.

Po si ishte hera e parë e Andresës në “E diela shqiptare”?

Si një balerinë, së bashku me trupën e baletit, Andresa hyri në studion e “E diela shqiptare” duke kërcyer. Pas kësaj, Arditi e ftoi të prezantojë veten. Me shqipen e saj modeste (që nuk e mësoi dot kurrë), ajo u prezantua: “Unë quhem Andresa dhe jam balerinë braziliane...” Aq ishte – publiku e dashuroi menjëherë buzëqeshjen e saj, natyrën çapkëne, origjinalitetin, por edhe për gjuhën shqipe.

Po ja si reagon vetë Andresa pasi shikon veten para 7 viteve. Është gati ta fusë kokën poshtë tryezës nga sikleti i “përballjes” me veten.

“Në atë kohë flisje më mirë shqip, çfarë ka ndodhur me shqipen tënde Andresa?” – e pyeti Arditi si për ta ngacmuar për pikën e saj të dobët... që mbeti gjithmonë e tillë.