Zbardhen kuotat dhe tarifat e reja për të gjithë ata që dëshirojnë të ndjekin ciklin e dytë të studimeve në një prej programeve që ofron Universiteti i Tiranës. Ashtu si në studimet 3- vjeçare, edhe për ato master, Senati akademik i Universitetit të Tiranës ka vendosur të ruajë të njëjtat tarifa, të pandryshuara për dy vite rresht.

Po ku kushton më lirë shkollimi master? Sa i takon atij shkencor, drejt të cilit priren pjesa dërmuese e studentëve, tri fakultete, ai i Histori-Filologjisë, Gjuhët e Huaja e Drejtësia janë unison në këtë pikë, duke vendosur një tarifë totale prej 150 mijë lekësh.

Ndërsa tarifat më të kripura i ka Fakulteti i Ekonomisë me pesë profilet që ofron, për të cilat duhet të paguhet 210 mijë lekë për të dyja vitet e shkollimit. Shifra rritet disa fish për ata që dëshirojnë ta ndjekin si program të dytë.

Fakulteti i Drejtësisë, që nga ky vit vjen si program i integruar 5- vjeçar, ka vendosur të mos bëjë një unifikim tarife, por ta rrisë atë në dy vitet e fundit të studimeve.

KRITERET

Të drejtën për të aplikuar e kanë të gjithë ata që kanë përfunduar studimet Bachelor dhe janë pajisur me diplomën përkatëse, ata që janë diplomuar jashtë vendit në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë, si dhe kanë njësuar diplomën pranë Ministrisë së Arsimit. Njohja në nivelin B1 e një gjuhe të huaj (anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht) është kushti për të gjithë ata që i drejtohen UT-së për studime masteri. Mesatarja e tri viteve të 3- vjeçarit vijon të jetë kriteri bazë për përzgjedhjen e studentëve më të mirë që do të pranohen në master, profesional a shkencor. Përpos dy treguesve të mësipërm, çdo fakultet nga ana e vet u jep përparësi studentëve që kanë përfunduar studimet bachelor në të njëjtin fakultet. Por kjo nuk u mbyll dyert atyre që kanë përfunduar studimet e larta në një tjetër universitet brenda apo jashtë vendit. Vulën përfundimtare për ta do ta ketë mesatarja e 3- vjeçarit. Përzgjedhja e kandidatëve fitues do të bëhet sipas rendit zbritës të mesatares.