Këtë sezoni, Portokalli do të ketë më pak fara. E kemi fjalën për elementët që e themeluan spektaklin e humorit. Blitz.al ka shkruar që edhe një tjetër aktor, që ka qenë pjesë e spektaklit që nga fillimi i tij, do ta lërë Portokalli-në këtë sezon. Florian Binaj, i njohur si polici i Portokalli-së, do të largohet nga spektakli ku u bë i njohur.

Blitz nuk zbulon arsyet apo planet e ardhshme të aktorit të diplomuar për pikturë, por konfirmon largimin e tij sipas burimeve brenda spektaklit.

Flori i Portokalli-së njihet për personazhin e Kol Frakushës, imitimin e Edi Ramës, shitësin e picave, rolet e Portokill, që risillnin në variant komik filmat e Kinostudios, rolin e djalit në dyshen tjetër me Irgen Çelën e të tjera.

Nëse nuk dimë vazhdimin e karrierës së Florit, marrim me mend që vazhdimi i Portokalli-së, ku do të mungojë dhe Besart Kallaku dhe Erion Isai, do jetë plot ndryshime.