Ky sezon i ri ka rikthyer në TV aktorin e njohur Ervin Bejleri ose, siç e njihni të gjithë me emrin e personazhit, Vini, shoku i Ninit të Bules.
Pas një shkëputje nga bota e televizionit, por jo nga teatri, Ervin Bejleri do të rikthehet në ekran kësaj here me një emision të quajtur "Kolaudim" në IN TV. Gjatë një interviste për “Gazeta Shqiptare”, Ervini ka rrëfyer se emisioni nuk do të jetë humoristik, por së bashku me dy prezantuesit, Mateon dhe Marseli do të komentojnë lajmet mbi aktualitetin, politikë me nota humori dhe me pak ironi.
Mund t’ju ketë bërë paksa çudi ky emër i emisionit, por Vini ka rrëfyer se përse kanë vendosur ta quajnë pikërisht kështu.
“Fare rastësisht. Po mendonim për një emër të ri me Mateon, dhe ajo për të cilën çdo djalë shqetësohet kur nget makinën dhe sheh ndonjë polic rrugor përballë është, a i ka në rregull dokumentet dhe a e ka bërë kolaudimin. Është procedurë që, po s’e pate, shteti mund të të gjobisë, por ajo që është më e rëndësishme është një proces që duhet ta kalosh edhe për sigurinë e kokës tënde, kur i thonë. Kështu që, ky mendoj se është edhe qëllimi i emisionit tonë në njëfarë mënyre, të “kolaudoj” hallet dhe problemet që ka sot shoqëria shqiptare. Por, në radhë të parë duke filluar nga lart… po nga lart fare ama”, shprehet Vini.
Gjithashtu kureshtje ka pasur gjithmonë edhe për raportin e tij me bashkëshorten, aktoren e njohur Ola Harizaj për faktin se ndajnë të dy të njëjtin profesion. Shumë prej çifteve zgjedhin që të mos punojnë së bashku, por Vini e ka konsideruar si diçka shumë të mirë që e forcon marrëdhënien.
“Me Olën si aktore debatoj, kurse si grua dashurohem dhe zihem (qesh). Absolutisht nuk është e vështirë. Ku ka më mirë se ta kesh bashkëshorten në të njëjtin profesion! Ku për çdo ide e mendim për profesionin që ti ke pasion, të kesh një këshillë profesioniste të sinqertë e pa doreza nga njeriu që ti ke dhe ke për të pasur përjetë në krah”, rrëfen aktori i njohur.