Në tetor do të nisë hapja e themeleve për kullën më të lartë në Tiranë, plot 35 kate.
Këshilli Kombëtar i Territorit më datë 14 Prill të viti 2017 ka miratuar lejen e zhvillimit të Godinës Polifunksionale DTA – DownTown Albania. DTA është një godinë e veçantë me një vlerë investimi prej 75 milionë euro. Godina do të jetë e pozicionuar në Bulevardin Bajram Curri, pranë ETC aty ku ndodhet parku i lojërave '7 xhuxhat' në Tiranë.
Ky projekt është një investim i përbashkët i Grupit Balfin dhe Kastrati Group.
Projekti është konceptuar dhe projektuar me një stil arkitekturor të veçantë ku për këtë qëllim është marrë një nga studiot inovative, MVRDV me qendër në Roterdam, të Holandës. Kompana britanike ARUP me qendër në Londër, një ndër më të mëdhatë në botë, është kompania që do të zhvillojë projektin.
DownTown Albania me nje lartësi prej 138 m dhe me 35 kate, sipas Balfin, është godina më e sigurt në Shqipëri në përputhje me parametrat botërore të projeksionit dhe ndërtimit e cila përfshin në vetvete një sistem maksimal të mbrojtjes ndaj tërmeteve. Ndërkohë fasada e jashtme e kësaj ndërtese do të ketë në zemrën e saj hartën e Shqipërisë.
Kjo godinë do të ngrihet si një element i rëndësishëm i horizontit të qytetit, duke shtuar diversitetin dhe pjesën impresionuese në kontekstin urban të Tiranës. DownTown Albania konsiston në një sipërfaqe njolle ndërtimi prej rreth 1,528m2, shtrirë në një hapësirë prej 3,812m2.
DownTown Albania ka një vendndodhje strategjike e cila ofron një akses të pakrahasueshëm me të gjitha zonat e rëndësishme.
Ndërtesa do të ketë 5 kate parkim, 1 kat dyqane, 17 kate zyra, nje kat për shërbime teknike dhe 16 kate banim.