
Në shfaqjen e tretë dhe të fundit të "Peshkatarëve të Perlave" në Pallatin e Kongreseve, sapo kishin mundësinë, spektatorët pëshpërisnin vlerësimin, të përzier me një mahnitje, për sopranon që interpretonte Leilan. "Sa e zonja!", "Sa mirë që marrin këngëtare të reja", "Kjo qenka shumë e mirë!", "Sa zë të bukur!" dhe në fund të gjithë këtyre, pyetja "Kush është?".
Kjo ndodhte në radhët e A3-shit dhe mund të shërbente si kampion rastësor për të provuar që, atë mbrëmje, sopranoja ishte vërtet duke dhënë një shfaqje të shkëlqyer, por ishte i panevojshëm sepse një provë më e qartë do të dëgjohej fort pak më pas. Intensifikimi i duartrokitjeve kur ajo u shfaq për të përshëndetur, zgjatja e tyre, të thirrurat "Bravo" që ngriheshin mbi to si shkëndijat që shkëputen nga flakët, e treguan që i gjithë publiku në sallë, ishte mahnitur dhe kishte të njëjtin vlerësim. Dikush, duke lënë sallën, do zbulonte edhe emrin e sopranos që të tjerët nuk kishin pasur mundësi ta mësonin paraprakisht dhe veli misterioz i priftëreshës më në fund do të binte për të zbuluar artisten. Ishte Simona Karafili.
Ndërkaq mbi skenë, ndërsa salla duartrokiste, Simona, e emocionuar, mendonte "Ato dy vjet e gjysmë ia vlejtën!".
Ka rrugën dhe historinë e saj Simona Karafili, që po jua prezantojmë duke qenë që të gjithë që e dëgjuan në rolin e saj të parë si soliste te "Peshkatarët e Perlave" u mrekulluan, por shumë prej tyre nuk e dinin kush ishte, ose dhe nëse e mësonin, e kishin të vështirë të kujtoheshin për të.
Në të vërtetë, Simona ka marrë pjesë te "Ethet" vite më parë dhe ka interpretuar edhe një këngë me Boiken Lakon, "Afër dhe Larg". Më pas, ndërsa formimi i saj vokal orientohej gjithmonë e më shumë drejt kantos klasike, ku është diplomuar vitin e kaluar nga Univeristeti i Arteve, ka marrë pjesë dhe çmime në festivale operistike, çmimi i parë në festivalin "Jorgjie Truja" dhe po ashtu në Ars Kosova, por në këtë pikë rrethi i publikut zvogëlohet dhe megjithëse salla e duartrokiste pa u lodhur, në këmbë, mbrëmjen e 25 shtatorit, një javë më pas, në një nga baret e qendrës së Tiranës, ajo është një vajzë simpatike me bluzë lejla, por pak e dinë që është Leila e 'Peshkatarëve të Perlave'.
Kjo sferë mbështjellëse privatësie, në të vërtetë, i shkon për shtat natyrës së Simonës, por ajo e di që nuk ka pse harxhon energji duke synuar të pamundurën... të qëndruarit gjithmonë brenda këtij globi dhe, kur ka diçka për të thënë, nuk ka pse mos të thuhet.
Simona, si kanë qenë këto ditë, pas debutimit te "Peshkatarët e perlave", roli yt i parë i madh?
Të nesërmen pata një krizë migrene. Sigurisht, gjithë ajo ngarkesë do shkarkohej diku. Ditën e dytë, fillova t'u ktheja përgjigje gjithë njerëzve që më kishin shkruar dhe uruar. Të tretën, m'u bë një propozim për një rol të ri dhe po mendoj për të.
Cili është roli?
Është ende herët për ta thënë.
E imagjinojmë çfarë ndodh me një këngëtare që publikon një videoklip, ose një tjetër që shfaqet në një program televiziv, po si është të jesh soprano në një shfaqje te Teatrit të Operas? Sa kërkesa për miqësi gjete të nesërmen në FB?
Oh, shumë dhe unë nuk e dija nëse duhet t'i pranoja të gjitha sepse më pëlqen privatësia ime, por as nuk mund t'u mohoj dëshirën për të më ndjekur njerëzve që më kanë pëlqyer në skenë dhe duan të jenë në kontakt me të rejat nga unë.
Simona, si u bëre pjesë e "Peshkatarëve të Perlave"?
Nuk ishte hera e parë që kisha marrë propozime, por këtë herë vendosa ta provoj. Kshte një informacion zyrtar për këtë shfaqje, ishin dy audicione, shkuan mirë dhe nga mesi i qershorit mora përgjigjen që isha përzgjedhur. Puna filloi në gusht dhe kanë qenë ditë shumë intensive, që do i mbaj mend me shumë dashuri.
Çfarë të veçante kishte personazhi i Leila-s, për ty?
Eshte nje rol shumë i bukur, një mënyrë elegante e të shkruarit nga Bizet. Unë e kategorizoj veten te role më verdiane nga ana e dramaturgjisë, jo kaq të brishtë e lirikë sa Leila në të vërtetë, por duhet të nisja me diçka, kishte ardhur momenti për të debutuar. Mendova "Ok, është Leila, nuk është shumë për karakterin tend, por le ta bëjmë". Bëhet një punë teknike për të nxjerrë ngjyrën e duhur dhe arrihet.
Nga vije ti para këtij roli?
Vija nga nje periudhë pauze dy-tre vjeçare. Gjërat nuk shkonin dhe aq mirë. Pata një problem teknik. Isha mësuar me çmime, aktivitet të ngjeshur koncertor, pritshmëritë i kam pasur gjithmonë të larta, pastaj pata një shkëputje për arsye teknike, vokale. Ka qenë një moment reflektimi. Janë disa momente të errëta që të ndihmojnë të refklektosh...
Dhe u riktheve. E ke parë shfaqjen? Si t'u duk vetja?
Nuk e kam parë, por e kam dëgjuar. Unë jam kritikja më e madhe e vetes. Mund të them që ka gjithnjë vend për t’u përmirsuar, por në përgjithësi jam e kënaqur.
Si ka qenë dita e shfaqjes, para se të dilje në skenë?
Oh, e shkreta mami im që më duron! Megjithatë, e veçanta e asaj dite ishte fakti qe nuk kisha ankth, siç zakonisht kam pasur. Është një lloj ankthi që vjen nga përgjegjësia e madhe dhe unë jam mësuar me të, sepse ai të ndihmon të rrisësh përqendrimin, por këtë herë nuk e kisha. Kishte kaluar një kohë e gjatë në prova. Prova, prova, prova...dhe mezi po prisja të dilja para publikut, kisha grumbulluar shumë dhe mezi po prisja ta thosha, të këndoja!
Kur dole në skenë, si u ndjeve?
Pas aktit të parë, fitova konfidencë. Mua më pëlqen skena dhe e arrij këtë konfidencë. Kjo më ndihmoi ta shijoja shfaqjen. Ka shfaqje që nuk i kam shijuar, thjesht i kam kontrolluar, ndërsa këtë e shijova. Ka të bëjë shumë edhe regjia që të lë hapësirë e të ndihmon ta gjesh këtë konfidencë. Pastaj, vijnë lulet, lotët, shkarkesa...
Kishe dy-tre spektatorë në mënyrë të veçantë në mendje kur këndoje, që mund të jenë kritikët e tu kryesorë?
Që të jem e sinqertë, ne shpesh këndojmë për kolegët. Megjithatë për mua e rëndësishme është gjithmonë që të eci me metrin e publikut. Unë mund të këndoj edhe për një vesh më profesionist, por asnjëherë nuk do i mbush pritshmëritë e kolegëve të mi, siç ata mund të mos i mbushin kurrë pritshmëritë e mia, kështu që në radhë të parë këndoj për publikun. Dhe në atë publik, sigurisht që mendimi i njerëzve të mi më të afërt, është tejet i rëndësishëm.
Si ishte të punoje me një nga figurat referencë për sopranot shqiptare, Inva Mulën, këtë herë duke e pasur si regjisore?
Qasja e parë peronalisht ishte me "Peshkatarët e perlave". Lehtësia në këtë bashkëpunim ishte që Inva është këngëtare dhe kush më mirë sesa një këngëtare mund të ndihmojë këngëtarët?! Të kënduarit me regji e bën më të lehtë të kënduarit. Për mua, këngëtarët e operës duhet të jenë aktorë që këndojnë mirë sepse duke qenë që është gjinia më komplekse nuk mund të jesh vetëm këngëtare, përndryshe nuk e përcjell personazhin te publiku. Inva, pjesën e arieve na e la të lirë. Një regjisor i mirë e bën këtë, sepse në skenat solo është shumë e rëndësishme për një artist të zgjedhë vetë mënyrën që do interpretojë për t'u ndier i lirë dhe për të shprehur maksimumin.
Perceptimet janë gjithmonë subjektive, por u duk sikur nga ana interpretative ju ishit dominuese në skenë ndaj tenorit bullgar që interpretonte Nadirin...
Mendoj që secili prej nesh bën më të mirën. Jo të gjithë kanë gjithçka. Unë mund të kem dy-tri pika të forta, dikush tjetër ka dy-tri të tjera. Është mirë, kur këngëtarët janë aktorë të mirë sepse ne këndojmë për publikun. Unë këtë nuk e harroj për asnjë çast. Sido që të ndihem në kohën e shfaqjes, publiku ka blerë biletën dhe dëshiron të kënaqet, por kur ka kimi, gjithçka duket më bukur.
Cili ishte urimi, komenti, vlerësimi që të mbeti në mendje pas shfaqjes?
Sigurisht urimet nga drejtuesit e Teatrit, me në krye zonjën Zana Çela, nga drejtoresha artistike, regjisorja, dirigjineti... Janë njerëz që nuk i kanë kursyer fjalët e mira dhe unë u jam shumë mirënjohëse për besimin që më dhanë, sidomos zonja Çela. Falë saj mësova të them "po". I ndihem shumë mirënjohëse, sepse ka besuar që kur unë isha në dyshime me veten. Ajo me nuhatjen e saj diti të dallonte diçka që vlente dhe më ndihmoi shumë. Nuk është gjithmonë e vërtetë ajo që ne besojmë për veten, kështu që një fjalë, një inkurajim mund të nxjerrë xhevahire, që përndryshe do mbeteshin aty. Unë ndihem me fat për këtë mbështetje. Teatri ka hapur dyert ndaj artistëve të rinj si unë, si Enkeleda Kamani që sot është në La Scala. Kjo është politika më frytdhënëse për një teatër, ta rrisë një artist, t'i japë dorën qe kur del nga Universiteti i Arteve. Unë mund ta kisha provuar të bëja një specializim jashtë pasi mbarova shkollën, por atje nuk të jepet eksperienca kaq lehtë sa na është dhënë ne në teatër. Nuk është diçka e vogël të të jepet mundësia të debutosh me një rol të madh si soliste. Njerëzit e parë që të mbështesin janë trampolina për një artist të ri.
Tani që kanë kaluar disa ditë, çfarë të ka mbetur nga Leila?
Më kanë mbetur në mendje duartrokitjet e publikut dhe përqafimi me nënën time. Këtë shfaqje ia kushtoj disa njerëzve, por veçanërisht asaj. Mami është mami. Ajo di gjithçka, kupton gjithçka. Ajo më gatuan, më duron, më mbështet, është fansja ime më e madhe. Pa të, gjithçka do bëhej më e vështirë.
Simona, ti praktikohesh çdo ditë?
Çdo ditë. Mund të resht vetëm ndonjë fundjavë. Praktikohem në teatër, ku një pianist më përgjigjet me shumë dashamirësi. Edhe pse jam e jashtme, TOB na e ka dhënë mundësinë të kemi oraret tona, por pjesën më të madhe të punës, e bëj në shtëpi.
Pas kaq vitesh, kur e mendon, nga çfarë të ka kufizuar profesioni i sopranos?
Sigurisht që ky profesion ka privimet e veta. Duhet të plotësosh orët e gjumit, të kesh një regjim ushqimor specifik, duhet të shmangësh jetën e natës, duhanin, streset, në periudhat e shfaqjeve duhet të ruash zërin, të hash mirë që mos të kesh probleme refluksi me stomakun, etj.etj. Megjithatë, unë nuk i quaj sakrifica. Kur e do diçka, ato që bën për hir të saj, siç ndodh edhe në një histori dashurie, nuk i konsideron sakrifica. Megjithatë ky profesion ka shumë ankth, je gjithmonë si në provim...çdo shfaqje është si herën e parë. Je gjithë jetën në provim!
Po ndonjë përpjekje të veçantë për të ruajtur një lloj siluete për shkak të skenës?
Ah, kjo po që është sakrificë! E vetmja për mua. Mendoj që ne i detyrohemi publikut një pamje të bukur estetike dhe për këtë arsye kam kujdes. Mua më pëlqen shumë ushqimi i mirë dhe do isha një obeze e lumtur, por më duhet të kufizohem për hir të skenës. Veç anës estetike, pesha e tepërt të pengon edhe në mizanskena të ndryshme, kështu që mendoj që askujt nuk i kushton gjë të rrëzojë ca kile apo të kujdeset që të mos i shtojë.
Ka miqësi në këtë mjedis?
Për mua miqësia është një nga gjërat më të rëndësishme. Edhe atë sukses që ti e korr, duhet ta festosh me njerëzit e dashur dhe ku ka më bukur sesa me familjarë dhe miq! Nuk gjen gjithmonë shoqëri të sinqerta dhe të çiltra, por unë për fat nuk vuaj nga xhelozitë në miqësi. Të marr shembullin e Enekeledës. Unë kam qenë aty gjithmonë për të dhe më gëzon shumë suksesi i saj. Mendoj që konkurrenca thjesht të ndihmon të përmirësohesh dhe nuk ka pse provokon asnjë ndjesi tjetër.
Veç Enkeledës, ka në rrethin tënd të ngushtë të miqve artistë të tjerë nga Universiteti i Arteve apo TOB?
Unë nuk besoj shumë në miqësi që krijohen 25 vjeç e sipër, edhe pse derën e kam të hapur. Vetë kam më shumë miq nga fëmijëria. Mundohem të jem korrekte me të gjithë, por nuk kam krijuar miq të rinj ngushtë.
Ke menduar për një eksperiencë jashtë Shqipërisë?
Sigurisht. Duke qenë që besoj shumë në energji, në karma, parapëlqej më shumë ta vë besimin te shpatullat e mia dhe mendoj që do vijë momenti. Fatmirësisht arti nuk ka pasaportë, lirika është pjesë e gjithë botës.