Që nga fillimet e tij në muzikë, Kelly-n me zërin e bukur rock të gjithë ne e kemi njohur dhe identifikuar me këtë emër, por kush e kishte ditur çfarë fshihej pas këtij pseudonimi që vetë këngëtari mori mbi vete që nga adoleshenca?

I ftuar pasditen e sotme në “Rudina” për të prezantuar projektet e tij të fundit muzikore, klipin "One Night Stand" dhe këngën e re në Këngën Magjike “Kur ti buzëqesh”, Kelly tregoi nga studio edhe emrin e tij të vërtetë.

Ndoshta as vetë nuk e kishte imagjinuar që për të gjitha vitet e tij në muzikë, Kelly do të mbante mbi supe një nofkë që lindi nga një simpati e adoleshencës.

Sapo hyri në studion e “Rudina”, moderatorja e pyeti Kelly-n cili është emri i tij i vërtetë dhe pse kjo zgjedhje për t’u identifikuar artistikisht. Pasi zbuloi se emri i vërtetë është Florian, Kelly tha se emri i artit ka lidhje me adoleshencën e tij: “Florian është emri im i vërtetë, ndërsa Kelly ka qenë një nofkë e adoleshencës. Në atë kohë kam pasur shumë qejf R. Kelly (reper i njohur amerikan). Më pëlqeu të më quanin kështu dhe ashtu mbeti”,  - tregon ai.

Dhe zgjedhja e emrit duket se nuk ka qenë krejt rastësore. Reperi i njohur amerikan, por edhe Kelly që njohim ne, duket si i kanë ruajtur cilësitë e emrit të vërtetë apo edhe të nofkës që mbajnë me vete.

Kelly: Njerëzit me këtë emër kanë një dëshirë të madhe për aventura dhe duan ta vendosin vetë ritmin e tyre, pa u ndikuar nga askush. Në përgjithësi, njerëzit që janë pagëzuar me emrin Kelly janë natyra të qeta, bashkëpunues, të vëmendshëm, dashamirës ndaj të tjerëve, përshtaten lehtë, janë të ekuilibruar dhe ndonjëherë edhe të turpshëm. Janë njerëz besnikë, respektojnë besimet e të tjerëve dhe janë të aftë për t’u bërë diplomatë, kanë intuitë e janë partnerë të shkëlqyeshëm.

Ia vini re edhe Kelly-t shqiptar këto cilësi?

Kelly është bërë mjaft i njohur në tregun muzikor shqiptar, por ai është edhe shumë aktiv në jetën e muzikës live në Tiranë. Së shpejti, ai do të bëhet baba për herë të parë. Bashkëshortja e tij Enisa, me të cilën këngëtari ka një lidhje prej afro një viti e gjysmë do të sjellë në jetë një djalë. Emrin, çifti janë akoma duke e menduar. Si fillim mendojnë të bashkojnë emrat e tyre, por akoma nuk kanë arritur një rezultat të mirë. Siç tregon Kelly, deri tani nga bashkimi kanë dalë vetëm emra detergjentesh :).