Për një periudhë të gjatë 2-vjeçare Arjan Konomi e la turravrapin e Tiranës dhe u kthye në një vend shumë të qetë, në jug, për të kaluar një periudhë qetësie të munguar për vite të tëra. Duke hequr dorë nga gazetaria dhe puna në media, Arjani i kushtoi më shumë kohë vetes, në një relaks të plotë në fshatin Vuno, me udhëtime nëpër botë, por edhe me një produkt mjaft të rëndësishëm, i cili e ka mbushur më shumë shpirtërisht.

“Saga e jetëve legjendë” është libri i ri i Arjan Konomit, i cili ka qenë i ftuar këtë pasdite në “Rudina” për të rrëfyer më shumë për përmbajtjen e librit, për jetën e tij 2-vjeçare jashtë zhurmës së Tiranës, por edhe për projektet e reja që ka nisur së fundmi.

Librin e sapopublikuar, Konomi tha se ia ka kushtuar të atit, por ndërsa fliste për të, gazetari u surprizua përmes një videomesazhi nga nëna e tij, Dorotea Konomi.

Jam e kënaqur që ju shikoj në studio me Arjanin duke folur për librin e tij. E di sa kohë ka harxhuar, sa është përkushtuar për ta shkruar atë libër që ka qenë ëndrra e tij dhe jam e kënaqur sot që e arriti. Është suksesi i tij, por ne prindërit, që në fëmijërinë e tij i kemi kuptuar dhe i kemi çmuar vlerat që kishte Arjani. Unë do të doja gjithmonë që ai t’i përkushtohej gjeopolitikës ashtu siç e nisi në Itali, ku shkruante përkrah politikanëve dhe ekspertëve të njohur botërorë, por ai iu kushtua më tepër ekranit dhe libri ka qenë ëndrra e tij. E uroj që të vazhdojë të ketë sukses, se është gjëja më me vlerë, pasi çdo vlerë e kësaj jete thyhet, prishet, shkatërrohet, por libri mbetet brez pas zbrezi dhe me talentin që ka, besoj se do të shkruajë libra edhe më të bukur. Unë e çmoj shumë, e kemi çmuar të dy, edhe njeriu ynë më i shtrenjtë, babai i Arjanit, i cili nuk e pa librin e tij, por e përjetoi kohën kur Arjani punonte dhe Arjani ia kushtoi atij”,- tha nëna e Konomit.

I emocionuar pas këtij mesazhi, Arjani tha se këtë nuk e kishte pritur: “Nuk e prisja, mendova mos ka qenë e mëparshme. Mamaja është e lumtur për librin, sepse siç e dëgjuat, e tha që ka dashur gjithmonë që unë të merrem me gjeopolitikën, siç e nisa dhe nuk e donte këtë pjesën e spektaklit. Më thoshte gjithmonë “po boll dole fole…” – rrëfen Arjani pa i fshehur sytë e përlotur.