Policia ka njoftuar arrestimin e nënprefektit të Tiranës.

Nënprefekti i Tiranës, Fatos Kaja, është ndaluar nga policia disa orë pas shpalljes në kërkim.

Nënprefekti u shpall në kërkim me vendim gjykate, pas kërkesës së Prokurorisë në vijim të hetimeve për dokumentat e Hipotekës Kavajë, ku Prokuroria identifikoi zyrtarë dhe ish-zyrtarë që dyshohen si përgjegjës të drejtpërdrejtë për “falsifikim” dhe “shpërdorim detyre” në ndarjen e tokave.

Fatos Kaja, ish-zyrtar i komunës Kryevidh, Kavajë, aktualisht, nënprefekt i qarkut Tiranë, është shpallur në kërkim me vendim gjykate, pas kërkesës së Prokurorisë ne vijim të hetimeve për dokumentat në ZVRPP Kavajë, në bashkinë Rrogozhinë, si edhe praktikat administrative të ish-komunës Kryevidh, e cila mbulonte zonën e plazhit të Spillesë.

Në vijim të këtyre hetimeve, Prokuroria e Kavajës ka identifikuar zyrtarë dhe ish-zyrtarë, të cilët dyshohen si përgjegjës të drejtpërdrejtë për falsifikimin dhe shpërdorimin e detyrës në ndarjen e tokave.

“Aktualisht nuk janë zbatuar masat e sigurimit dhe janë shpallur në kërkim shtetasit: Seid Cikalleshi, Fatos Kaja dhe Enver Duqi”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Pak më pas, policia ka shpallur arrestimin e Kajës.