Çmimet Kult krijuan disa pakënaqësi që u shprehën me zë të lartë publikisht, gjatë këtij viti.
Fillimisht Rozana Radi u indinjua përse kënga e saj nuk ishte ndër të nominuarat për këngën e vitit. Sot, një ditë pas ndarjes së çmimeve Kult, regjisorja Elma Doresi ka kërcënuar Akademinë e Çmimeve Kult që do t’i hedhë në gjyq po e nominuan përsëri sepse deri tani e kanë nominuar tri herë, por nuk e kanë shpallur asnjëherë fituese.
Megjithatë ka dhe nga ata që nuk e marrin kaq keq që nuk fitojnë, siç është Merita Rexha Tërshana e cila ishte nominuar si instrumentistja e vitit për Koncert 5 të Beethoven. Ajo ka postuar foto nga aktiviteti ku shkoi e shoqëruar me të birin ndërsa bashkëshorti i shoqëronte nga pas. "Me princin tim", shkruan ajo te fotot e marra nga Bordo.
Ndoshta sepse pianistja është nominuar dhe e ka fituar këtë çmim vitin e kaluar.
Ose ndoshta për të është vërtet thjesht një ndarje çmimesh dhe arti vijon njëlloj, çfarëdo që të vendoset aty.