Pjesa e programeve argëtuese, kulturore, e spektakleve televizive është një pikë shumë e rëndësishme e Tv Klan prej disa vitesh tashmë. Pothuaj prej një dekade, ky ekran ka qenë edhe më pranë publikut me formate të sprovuara në botë që janë pëlqyer edhe në publikun shqiptar.
Prej disa sezonesh, Tv Klan po sjell njëri pas tjetrit formate të spikatur dhe të suksesshëm ndërkombëtarë duke i implementuar edhe për publikun shqiptar. Dhe nuk ka mbaruar ende me risitë.
Drejtori ekzekutiv në Televizionin Klan, Armand Shkullaku zbuloi sot nga studio e “Rudina”, programet e reja që pritet të nisin së shpejti. Shkullaku tha se së shpejti në ekranin e Tv Klan do të nisë një emision me personazhe të njohur, të cilët kanë kryer operacione plastike. “Virtuozët” do të jetë një tjetër program që ka për synim përzgjedhjen e talenteve të reja, prezantuese e të cilit do të jetë sopranoja e njohur, Inva Mula.
Megjithëse nuk e ndjen veten ekspert të këtyre formateve, as njohës i mirë i këtij sektori shumë të rëndësishëm në televizion, drejtori i ri ekzekutiv në Tv Klan thotë se, megjithatë: “Në Klan, aktualisht po gjejmë ato hapësira ku ka ende vend ku Klani ta thotë fjalën e tij. Pra, të mos lëmë më asnjë hapësirë bosh në kuptimin e komunikimit me publikun. Më shumë muzikë “C’est la vie”, është programi i kuzhinës “Kush vjen për drekë”, gjetëm një hapësirë dhe e vumë. Një hapësirë tjetër që duhet parë është koha e paradites, ku synimi është të heqim tërësisht ritransmetimet dhe për t’i mbushur ato me programe që i përshtaten publikut në atë orë. Normalisht, duhet bërë. E shtuna dhe e diela paradite duhen mbushur.”
Shkullaku shton se së shpejti Klan do të konkretizojnë edhe projekte të mbyllura tashmë: “Do shohim emisione të stilit pak më urban, që kanë të bëjnë me mënyrën e jetesës, me stilin, me shëndetin etj.”
“Ndërkohë, kanë nisur xhirimet dhe po përgatitet në montazh një emision tjetër i ri. Besoj do jetë të dielën paradite. Ka të bëjë me një fenomen shumë të zhvilluar në 20 vitet e fundit, në Shqipëri 10 vitet e fundit që janë operacionet, ndërhyrjet plastike. Personazhe të ndryshëm tregojnë përvojën e tyre jetësore para, gjatë dhe pas operacionit”
“Virtuozët” është një tjetër program i ri në Tv Klan, patentë e grupit Endemol, i cili do të prezantohet nga sopranoja e njohur Inva Mula.
Një tjetër reality “The farm”, gjithashtu pritet të kristalizohet shpejt. “Ferma” është një projekt i madh, por aktualisht është në fazë bisedimesh.