Kishte kohë që publiku i saj dhe dashamirësit e kishin pritur divën e muzikës, Adelina Ismaili. I gjithë stadiumi në Gjilan ishte tejmbushur për ta pritur rikthimin e saj në skenë para pak ditësh dhe të gjithë sytë kureshtarë, reporterët dhe mediat ishin fokusuar për të marrë të paktën edhe një deklaratë nga këngëtarja e njohur e skenës. Pas tërheqjes nga muzika dhe pas lindjes së Uliksit, ashtu si për të gjitha nënat e reja, asgjë nuk ka më rëndësi në botë veç atij.
Për mikrofonin e Prive, Adelina rrëfen si e kishte pritur rikthimin pranë publikut të saj në Gjilan, sa shumë emocione kishte pasur pas mungesës së gjatë, por edhe jep një deklaratë të fuqishme për lamtumirën nga muzika.
E pyetur nëse do të kthehet me kohë të plotë në industrinë muzikore, ajo tha: “Jo, jo, jo. Tamam si këngëtare, kurrë jo. Nuk besoj. Si këngëtare, me hy, me knu, me dalë, jo”, – thotë e bindur artistja.
Por ka ndër mend të kthehet në aktrim. Madje për këtë ka nisur edhe një project për të cilin akoma nuk do të bëjë publike detajet: “Ama me u kthy po. Në aktrim do kthehem”, – thotë Adelina duke shtuar se për momentin nuk do të bëjë publike shumë detaje, sepse akoma projekti është në fazat e para.
Për herë të parë në ekran, Adelina flet edhe për ndjesinë e mëmësisë. Për të nuk ka ndryshuar shumë jeta, është pothuaj njëlloj edhe para se të bëhej nënë, veçse tani, nëse bota rreth saj digjet, nuk i intereson më. Asnjë mendim tjetër nuk i vjen në mendje para Uliksit.