“Sa qejf i kam thashethemet…”, - tha Big Mama pasditen e sotme te “Rudina”, kur moderatorja e programit, pas të rejave të fundit për jetën e këngëtares së njohur nga Maqedonia, i kërkoi të rrëfente më shumë edhe për jetën e saj private, e cila muajt e fundit ka qenë kryetemë e të gjitha portaleve e mediave rozë. E mësuar me këto të fundit, Big Mama tha se shumë nga lajmet që ka lexuar për veten, nuk kanë pasur asnjë të vërtetë në brendësi.
Megjithatë, kjo nuk i kushtëzoi aspak portalet ta fokusonin vëmendjen e tyre maksimale te këngëtarja e njohur, e cila në shumë pak muaj fitoi një pamje të adhurueshme pas operacionit që bëri në stomak. Po gjithashtu, jo pak lajme u shkruan edhe për lidhjen e saj të dashurisë, aq sa shumë edhe abuzuan me këtë pjesë.
Pyetjes së Rudinës për jetën private, Big Mama i dha një përgjigje të sinqertë. Gjithmonë ka dashur që të të jetë e rezervuar për jetën private, por nga ana tjetër ka dashur edhe të jetë e sinqertë me publikun. Lidhjen e dashurisë, ajo vetë e ka pranuar publikisht pak muaj më parë. Por pa thënë se ka ndër mend të bëjë dasmë. Ky është një lajm i rremë, vë në duke ajo: “Në fakt, nuk ka pasur asnjëherë një lajm të tillë. Nuk ishte planifikuar asnjë dasmë. Unë kam qenë e sinqertë me publikun, por nuk kam pasur dëshirë ta bëj publike lidhjen derisa të vijë me të vërtetë një dasmë”, – tha Bigu për “Rudina”, duke konfirmuar më pas edhe ndarjen nga partneri.
“Isha në një lidhje, nuk doja që të dal para publikut dhe të them ‘jo, nuk jam.’ Thashë që për momentin jam shumë e lumtur edhe koha e tregon se ça do ndodhë. Por pastaj më martuan e ça nuk më thanë…” – thotë këngëtarja duke shtuar se e gjithë kjo “e keqe” është pasojë e sinqeritetit të saj me publikun.
Pyetjes së Rudinës nëse ndarja është definitive, Big Mama iu përgjigj me ‘po’: “Isha në një lidhje, u mundova shumë që të funskionojë, por nuk e eci…Ndarja është definitive. Unë jam munduar që ta mbaj, por jemi natyra e karaktere të ndryshme. Për ardhmërinë tonë nuk ishte e thënë të ishim bashkë.”
Megjithatë, Big Mama tha se nga ai do të mbajë mend shumë gjëra të bukura, për familjen e tij gëzon shumë respekt, por gjithçka ishte e mirëkuptuar nga të dy palët: “Nuk na eci, ti në rrugën tënde, unë në rrugën time.” Kaq është dhe më shumë nuk ka më nevojë për sqarime.