Spitali i njohur privat Hygeia ka dalë në shitje. Monitor shkruan që spitali i dytë privat më i madh në vend është në negociata me aktorët e tjerë të këtij tregu.

Sipas Monitor, aktorët e mundshëm për këtë blerje janë Spitali Amerikan, Spitali Salus, Spitali Gjerman, por me asnjë nuk është rënë dakord për shkak të çmimit.

Hygeia është spital i nivelit ndërkombëtar që ka nisur aktivitetin në Shqipëri në vitin 2010, ai është në pronësi të plotë të spitalit grek Diagnostic and Therapeutic Center of Athens Hygeia.

Aktiviteti në Tiranë ka pasur humbje të mëdha dhe spitali nuk ka raportuar asnjëherë fitime.

Vitet e fundit, janë pranuar vështirësitë financiare nga ky spital. Hygeia aktualisht paguan kredi në dy banka të mëdha ndërkombëtare, ndërkohë që totali i aktiveve afatgjata, ndërtesa etj. është 4.9 miliardë lekë, ndërsa kapitali aksioner rreth 1.4 miliardë lekë që tkurret për shkak të bartjes së humbjeve financiare.