Sa herë e keni ndeshur Iris Luarasin në debatet televizive, me siguri keni menduar se është një prej personazheve më të dashur të publikut. Është gjithmonë kënaqësi, sidomos për gjininë femërore, të dëgjojë një zë të fortë jo vetëm në mbrojtje të sistemit arsimor, por edhe një zë në mbrojtje të gruas. Sa herë është Irisi në një debat televiziv, vështirë të përballesh dhe të fitosh në fund fare.

Por sot, në “Rudina” Irisi nuk ishte për të debatuar, as për të folur për të tjerët. Nuk është edhe aq komod ky pozicioni, por është gjithmonë kënaqësi, rrëfen Irisi për “Rudina”.

Përveç shumë angazhimeve në jetën akademike, në gazetari dhe me shoqatat në mbështetje të grave, Irisi ka edhe një familje të bukur. Nënë e dy fëmijëve të rritur tashmë, Irisi rrëfen edhe për familjen e saj dhe dobësitë e secilit. Noa, djali i madh i gazetares, në janar mbush 14 vjeç, ndërsa Ashli është 10 vjeç. Të dy janë fëmijë të mbarë që i falin shumë kënaqësi. E gjithë familja, rrëfen Irisi, shijon pa fund udhëtimet bashkë. Është ndoshta ajo periudhë në të cilën Irisi është në çdo orë e përkushtuar për familjen, pa menduar për gjërat e tjera, për angazhimet dhe punët që i duhet të bëjë.

Në fillim, kur Irisi ishte shtatzënë me Noan, shumë pak muaj pas martesës, 14 vjet më parë, pati një lloj trembjeje: “Çfarë tmerri thashë, ne sapo jemi martuar, nuk patëm kohë të mendonim dhe të jetonim si çift pa angazhime, por kjo ndjesi zgjati vetëm javën e parë, sepse nuk ishte asnjë problem edhe pas lindjes në Noas: “Nuk ishte asnjë lloj problemi, gjëra që do bënim të dy, i bënim të tre. Unë Noan e kam pasur në gji 11 muaj. Mesatarisht, 2-3 herë në muaj ne udhëtonim të tre dhe ishte një fëmijë i qetë, i butë. Unë thoja ky nuk ka zgjidhje tjetër, sepse e vetmja shtrigë në familje jam unë…”, – tregon Irisi me të qeshur.

Dhe pak vite më vonë, erdhi në jetë edhe Ashli. Ashtu si edhe me Noan, edhe me Ashlin Irisi bëri të njëjtën gjë. E aftë për të menaxhuar çdo situatë e të papritur gjithmonë, edhe në familje ia ka dalë po aq mirë sa edhe në gazetari e në çështjet e mbrojtjes së grave. Disa prej momenteve më të bukura me fëmijët, Irisi i ka ndarë edhe me publikun e “Pasdite”, ku, siç thotë ajo, sa herë është e ftuar, merr vëmendjen maksimale.