Aurela Hoxha dhe Mehdi Malkaj nuk e nisën rrugëtimin në Dance With Me 4 njëlloj me të tjerët, por në vetëm pak javë e kapën shumë shpejt ritmin e kolegëve të tyre, madje edhe spikatën në shumë të hëna si ndër më të mirët.

Por, për fat të keq, dy artistët as nuk do ta mbyllin këtë rrugëtim bashkë me të tjerët. Ata nuk do të jenë pjesë e finales dhe arsyeja është Mehdiu, i cili, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në gju, ka akoma nevojë të rikuperohet duke e pasur të vështirë kërcimin në Dance.

“Një çift do të mungojë këtë finale. Mehdi ka disa javë që është diagnostikuar për një problem serioz në gju, i cili nuk do ta lejojë të jetë në finale”, – tha Alketa mbrëmjen e sotme duke shtuar se edhe Aurela ka marrë vendimin për të mos qenë pjesë e finales pikërisht për këtë shkak. Fati i keq që ndoqi aktorin e njohur, penalizoi edhe Aurelën, e cila e mori vetë vendimin për të mos kërcyer pa të.

Në përshëndetjen që dhanë për produksionin dhe për një njëri-tjetrin përmes një videomesazhi, artistët thanë se kjo eksperiencë i ka lumturuar pa masë, megjithëse u vjen keq që nuk do ta përmbyllin ashtu siç do të donin: “Më vjen keq që e ndërpres këtu sfidën, por nuk kam ç’të bëj” – tha Malkaj në mesazhin e tij. Ndërsa Aurela ia ktheu: “Nuk mund të jem aty, kur ti nuk je që të kërcesh me mua.”