Finalja e edicionit të katërt të spektaklit të kërcimit Dance With Me do të jetë një mbrëmje e mbushur plot surpriza dhe për këtë është angazhuar i gjithë produksioni i spektaklit. 18 dhjetori, në prag festash, do të sjellë pas një rrugëtimi disajavor në skenën e DWM jo vetëm kërcimet më të mira nga konkurrentët pjesëmarrës, jo vetëm një trofe në fund, por natyrisht edhe shumë numra artistikë që do të përfshijnë të gjithë stafin.
Nëse keni qenë të vëmendshëm, Alketa Vejsiu, pas dialogut me anëtarët e jurisë, zbuloi një pjesë të këtyre surprizave që, natyrisht, do të tërheqin vëmendjen e publikut në sallë, por edhe atij nga shtëpia.
Por çfarë do të ndodhë konkretisht në finale?
Të gjithë konkurrentët do të përgatitin një numër special artistik nga trupa e baletit të Albi Nakos, por bashkë me ta, do të ngjitet në skenë edhe Valbona Selimllari. Edhe pse e la vetëm me ‘mund’, Valbona tha mbrëmë se duhet të jemi gati për të parë duke kërcyer një këngë shqiptare.
“Valbona, ti do kërcesh diçka shqiptare që ta mbyllim me nderin e merituar këtë spektakël?”, – e pyeti Alketa Valbonën duke pasur parasysh ndikimin që pati tek të gjithë vallja e Tropojës, e kërcyer nga ajo pak javë më parë në skenën e DWM. Meqenëse, siç dihet, Valbonës i pëlqen shumë t’i kërcejë vallet tradicionale dhe pasi vallja e Tropjës i la të gjithë pa fjalë, ajo premtoi që do ta lërë për pak karrigen e jurisë të hënën e ardhshme. Ndërsa Alketa i propozon një tjetër kërcim shqiptar, Vlabona pranon: “Në fakt, diçka shqiptare do e kërceja me shumë kënaqësi. Në finale, mund të jetë edhe një kërcim i Bonës me këngë shqiptare.”
Por nuk është vetëm Valbona. Gjatë dialogut me jurinë, Alketa pyeti edhe Robertin çfarë do të ndodhë në finale dhe ai konfirmoi se do të këndojnë, madje: “Do bëjmë një duet të paparë ne të dy”, – tha Berti duke zbuluar ndoshta surprizën e dytë nga finalja. Meqenëse gjithmonë i ka pëlqyer të këndojë, Alketa u tregua e gatshme edhe në këtë rast për t’ia përmbushur dëshirën Bertit, por edhe publikut.
Po tjetër? Alketa, madje, edhe do të kërcejë. Siç i tha ajo Albit, ishte e gatshme që një ditë pas spektaklit të shkonte në palestër dhe të ushtrohej në prova kërcimi, në mënyrë që në finale të sjellë edhe një performancë me kërcim: “Do kërcej në finale, do kërcej, shumë jam përmbajtur… “ – tha Alketa pas ftesës së Albit për të nisur provat në palestër.
Që finalja do të ketë gjëra të bukura, këtë e konfirmon edhe Albi, por ndryshe nga të tjerët, ai u tregua më i rezervuar për të rrëfyer më shumë: “Do ketë gjëra të bukura”, – tha dhe e mbylli, sepse e di mirë si ta mbajë gjallë kureshtjen publike.