Është bërë trend emri Lali Eri për kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Edhe pse në fillim, pasi nofka filloi të bëhej virale, me të u spekulua, tashmë për Lali Erin nuk është asnjë çudi që kështu ta identifikojnë jo vetëm në kryeqytet dhe në Shqipëri, por edhe mes homologëve të tij në botë.
Po si i mbeti Veliajt Lali Eri? I ftuar mbrëmjen finale të DWM, kryetari i bashkisë së Tiranës zbuloi edhe kush ia kishte ngjitur këtë emër: “Kur filluam të bënin çerdhet dhe kopshtet, kryetari i bashkisë sikur nuk shkonte. Nisi si shaka lali, lali, por më vonë u bë popullore dhe u pëlqye”, – tha Veliaj pas pyetjes së Alketës si i mbeti ky emër.
Nëse për të gjithë ne lali është një emër që ia dimë kuptimin (një njeri të cilin e kemi shumë të afërt, vëllai i madh kundrejt vëllezërve më të vegjël ose kundrejt motrave më të vogla), ka një problem me të huajt ky emër, kur është fjala për Veliajn: “Shumica e të huajve thonë si përkthehet kjo ‘lali’ në anglisht”, – thotë me humor Veliaj.
Ai e di se kjo e fundit nuk është shumë e rëndësishme. Me apo pa dashje Lali Eri është bërë personazh për Tiranën, për të mëdhenj e të vegjël, ndaj askush nuk ka kundërshtim që të jetë ai vëllai i madh i këtij qyteti.