Rea Bisha, vajza 24-vjeçare e aktores së njohur Anila Bisha dhe regjisorit Besnik Bisha, prej 20-vjetësh merret me piano. Është pianiste dhe këtë profesion e ka vendosur tashmë, por ka pasur gjithmonë ëndërr të jetë pjesë e një filmi si e ëma, Anila. Prej vitesh i ishte lutur të atit ta bënte pjesë në ndonjë projekt të tijin, por gjithmonë regjisori Bisha mendonte se Rea nuk “ishte për këto punë”. Megjithatë, një ditë ndryshoi mendje dhe i dërgoi së bijës një skenar për të lexuar. Surpriza e Reas ishte pikërisht roli i saj. I ati kishte menduar se edhe ajo të kishte një rol dhe do të luante të ëmën në rininë e saj.

Kështu nisi projekti për filmin “Vera pa kthim”, i cili rikthen Anila Bishën sërish në kinema. Sot, nënë e bijë, Anila dhe Rea ishin të ftuara në “Rudina”, ku rrëfyen më shumë për filmin, por edhe për marrëdhënien e tyre të ngushtë.

Projekti që tashmë ka nisur ka qenë një ëndërr për Anilën: të luajë së bashku me të bijën, për të, natyrisht, është një emocion i madh. Ndryshe nga të gjitha rolet në kinema, ky duket se është ai projekti i mezipritur, i cili ka një emocion të shtuar pikërisht sepse ka si një pasqyrë veten në rininë e saj. Edhe Rea ka emocion, sepse ajo është Anila në rini. Dhe nuk është një rol i vështirë për të – të paktën nuk duhet të bëjë asgjë për t’i ngjarë Anilës: “Ka raste kur edhe i ati e thërret Anila”, – thotë aktorja, krenare për ngjashmërinë që ka me të bijën.

Edhe pse Rea konsiderohet vajza e babit, ajo ka trashëguar pothuaj të gjitha tiparet e së ëmës, por megjithatë, puna në sheshxhirim me të atin dhe të ëmën nuk e ka përkëdhelur, përkundrazi: “Sapo niste çakun, babi nuk ishte më babi. Madje, më ka bërtitur aq shumë sa askush nuk mund të mendonte se isha vajza e tij. Kishte raste që i thoja të mos më fliste aq shumë... “ – tregon Rea me te qeshur për “vështirësitë” që ka pasur duke punuar me të atin.

Filmi do ta ketë premierën shumë shpejt. E gjitha familja Bisha është shumë e lumtur për këtë projekt i cili, në fakt, i kushtohet nënës së ndjerë të Anilës, gjyshes së Reas, e cila ndërroi jetë vetëm një javë para se filmi të niste xhirimet. Anila tregon se ajo kishte nevojë shumë për të bijën në momentet e fundit, por, sikur e ndjeu që po i “merrte” kohë asaj dhe, fatkeqësisht, ndërroi jetë.