
Andrra Destani nuk do të jetë më bashkëshortja e bukur e Sinan Hoxhës, nëna që kujdeset për djalin e vogël apo modelja e rrjeteve sociale me shumë fansa. Prej kohësh, Andrra ka qenë duke punuar për një sipërmarrje të sajën dhe më në fund, duket se do ta vërë në jetë shumë shpejt.

Pak kohë më parë, lajmi se Sinan Hoxha kishte investuar një shumë marramendëse parash për të hapur një biznes që do ta menaxhonte bashkëshortja e tij u përfol shumë në portale. Shifra prej 600 mijë eurosh, e vërtetë apo jo, krijoi bindjen se biznesi do të ishte një sipërmarrje e madhe, por ende nuk dihen më shumë detaje nga çifti i njohur i showbiz-it.
Megjithatë, Andrra ka zbuluar diçka të re përmes fotos së fundit që ka publikuar. “Andrra Couture” është marka të cilën bukuroshja e njohur sapo e ka prezantuar për të gjithë miqtë virtualë. Nga mediat mësohet se Sinani dhe Andrra do të kenë një dyqan veshjesh, por ende nuk dihet nëse biznesi do të hapet në Tiranë apo në Gjermani.
Të gjithë miqtë i urojnë Andrrës suksese në këtë sipërmarrje të re për të cilën ajo nuk zbulon shumë. Me siguri, gjithçka do të kristalizohet shumë shpejt.
