Është ndarë nga jeta pasi vuajti për shumë kohë nga një sëmundje e rëndë Mjeshtri i Madh Rexhep Çeliku, solisti i parë i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore.

Pak ditë më parë, Presidenti Ilir Meta i dha titullin "Nderi i Kombit", në një ceremoni ku Mjeshtri Çeliku ishte vetë i pranishëm, edhe pse i sëmurë rëndë.

Rexhep Çeliku u lind më 19 korrik 1954 në Tiranë. Që nga viti 1976 ka punuar solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe numëron në reportorin e tij artistik rreth 8 mijë shfaqje dhe mbi 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit.

Është nderuar me titullin "Mjeshtër i Madh", akorduar nga ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, me motivacionin "për interpretim me nivel të lartë artistik të të gjitha valleve shqiptare dhe transmetimin e saj duke ruajtur origjinalitetin".

Më 8 janar 2018, Presidenti i Republikës Ilir Meta vlerësoi me Dekoratën “Nderi i Kombit”, “Shqipen fluturuese”, Rexhep Çeliku, në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si solist me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj.

Gjatë fjalës drejtuar të pranishmëve, mes të cilëve ishin miq, kolegë e familjarë të dy artistëve, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, kreu i KLSH-së Bujar Leskaj, deputetë e personalitete të artit e kulturës, Presidenti Meta se Liljana Cingu dhe Rexhep Çeliku kanë dhënë gjithçka nga jeta e tyre që vallja jonë popullore të duartrokitej e të ngrinte peshë zemrat e te gjithë shqiptarëve, kudo në botë.