Vrasja e liderit serb Oliver Ivanoviç kërcënon të dëmtojë rëndë dialogun midis Serbisë dhe Kosovës si edhe t’i hedhë benzinë zjarrit të një tensioni delikat i cili ka ekzistuar edhe më herët.
Vrasja e stilit mafioz të Oliver Ivanoviç përballë zyrave të partisë së tij në Mitrovicë shenjon ndodhinë e fundit të një konflikti të gjatë midis shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve.
64-vjeçari Ivanoviç, fillimisht ndoqi ambicien e tij për t’u bërë një pilot ushtarak, por u detyrua të hiqte dorë nga ky profesion për shkak të një defekti të pariparueshëm në sy. Ai tërhoqi vëmendje publike duke krijuar një karrierë shumë të suksesshme në karate dhe duke fituar Kampionatin Kosovar të Karatesë.
Pas bombardimeve të NATO-s, në vitin 1998, Serbia tërhoqi forcat e saj dhe mijëra qytetarë serbë në zonat e saj të sigurta. Ivanoviç, ende në Mitrovicë, mori një rol drejtimi në Këshillin Nacional Serb të sapoformuar dhe e mbajti këtë pozicion deri në vitin 2001. Më pas ai shërbeu në Qendrën e Koordinimit midis Serbisë dhe Kosovës, e më vonë edhe si Sekretar Shteti në Ministrinë për Kosovën në qeverinë serbe. Ai ka shërbyer edhe si deputet në Parlamentin e Kosovës.
Ndryshe nga shumica e politikanëve serb të gjeneratës së tij, Ivanoviç fliste shkëlqyeshëm gjuhën shqipe, serbe, angleze dhe atë italiane.
I arrestuar për krime lufte
Në 2014 Ivanoviç u burgos nga autoritetet kosovare nën dyshimin për krime lufte. Ai u dënua më vonë, por dënimi u kthye nga apeli. Kishte kaluar tre vite në burg përpara se të lirohej.
Politikani Ivanoviç gjithashtu krijoi iniciativën “Liri, Demokraci, Drejtësi”, një organizatë politike aktive në zonat me mazhorancë serbe në Kosovë. Aktiviteti i tij politik e ka vendosur atë shpesh në situata konfliktuale me zyrtarë të tjerë ne Prishtinë, por, në disa raste, edhe me politikanë serbë dhe figura të fuqishme në Beograd.
Në korrikun e vitit të kaluar, ai denoncoi se makina e tij ishte djegur. Duke e komentuar këtë incident, ai tha se djegia e makinës ishte një “mesazh” me qëllim frikësimin e tij për aktivitetin politik.
“Ndihem i sigurt, nuk kam frikë nga askush dhe asgjë. Diçka e tillë nuk më frikëson dot. Por e kuptova mesazhin”,- tha ai.
Autorët nuk u gjendën kurrë.
‘Shitës droge në çdo cep’
Duke folur për një revistë serbe gjatë shtatorit të kaluar, ai vuri theksin tek rritja e krimit të organizuar në sektorin serb të qytetit të tij të lindjes, Mitrovicë.
“Njerëzit nuk kanë frikë nga shqiptarët, por nga serbët, gangsterët lokalë që ngasin makina pa targa”,- tha ai për revistën. “Aty ku ka shitës droge në çdo cep, prindërit janë të shqetësuar.”
Përpara zgjedhjeve të tetorit 2017 në Kosovë, katër nga anëtarët e partisë së Ivanoviç hoqën dorë nga lista e kandidatëve për shkak për presionit dhë kërcënimeve nga fraksionet serbe.
Burimi: Deutsche Welle