Në çdo periudhë reshjesh të vazhdueshme, lumi i Osumit dilte nga shtrati në zona të ndryshme, përfshirë dhe atë pranë Urës së Goricës në qytetin e Beratit.
Dalja e ujit sillte shqetësime për shtëpitë në lagjen Goricë dhe gjithë kalimtarët në zonën e pedonales, e cila mbulohej me ujë, por duket se e ardhmja do të jetë ndryshe.
Këto ditë, në lumin Osum, është ndërmarrë një fushatë pastrimi, e cila ka larguar gjithë mbeturinat e grumbulluara në zonën poshtë Urës së Goricës. Kryetari i Bashkisë së Beratit ka thënë që kjo ndërhyrje do të shmangë përmbytjet në këtë zonë.
“Me këtë lloj pastrimi ne kemi bindjen, sipas edhe specialistëve tanë që rritet kapaciteti i përçuarjes së ujit poshtë urës së Goricës dhe duke rritur vëllimin e kalimit të ujit në këtë segment nuk do të kemi përmbytje”, është shprehur kryetari i Bashkisë së Beratit.
Sipas kryetarit të Bashkisë, Petrit Sinaj, pastrimi do të vazhdojë dhe në zona të tjera të lumit Osum, ku prej vitesh nuk është ndërhyrë.