Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është rizgjedhur në krye të forcës së tij politike. Në zgjedhjet e kësaj të diele për kryetar partie, ku Kurti ishte kandidat i vetëm, ai ka marrë më shumë se 98 për qind të votave. Më pak se 1 për qind e aktivistëve të VV-së janë deklaruar kundër Kurtit në zgjedhjet për të parin e partisë.
Sipas rezultateve të publikuara nga Vetëvendosje, për Kurtin kanë votuar 98.82%, kundër 0.61% ndërsa abstenim 0.57%.
“Me këtë rast, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm falënderon të gjithë aktivistët e përfshirë në menaxhimin dhe administrimin e zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për përkushtimin e tyre në mbarëvajtjen e këtij procesi, si dhe falënderojmë të gjithë anëtarët që kanë shprehur sot të lirë vullnetin e tyre mbi të ardhmen e organizatës”,- thuhet në njoftimin zyrtar të VV-së.
Në votimin e sotëm nuk kanë votuar të dorëhequrit nga kjo parti. Visar Ymeri, Dardan Molliqaj e Dardan Sejdiu janë në grupin e atyre që nuk votuan.
Prej disa muajsh kjo forcë politike ishte përfshirë në debate të brendshme pas vendimit të Kurtit për t’u rikthyer në krye të partisë.