Është hyrja më e re në Tv Klan që i është besuar një program i ri. Kiara Tito ishte sot në “Rudina” për të rrëfyer risitë që do të sjellë një format i paparë më herët në ekranet shqiptare. Emri i Kiarës është përfolur pak javë më parë sapo u mësua se shumë shpejt do të nisë transmetimet një program i fokusuar te personazhet që kryejnë ndërhyrje plastike dhe pothuaj i gjithë rrugëtimi i tyre nga hapat e parë e deri te ndryshimet drastike.
“Është një format i parë më herët në botë, por jo në Shqipëri. Është konceptuar në formën e një reality show, i cili merr përsipër të rrëfejë historitë e personazheve që do të kryejnë ndërhyrje të ndryshme për të përmirësuar pamjen”, – thotë Kiara, pa dashur të zbulojë më shumë.
Data se kur do të nisë nuk dihet ende, as titulli që do mbajë programi. Të gjitha këto janë duke u menduar, por puna dhe regjistrimet kanë nisur. Kjo, edhe për shkak se programi është impenjativ dhe më shumë se gjithçka tjetër, ka nevojë për kohë, saktëson Kiara: “Në momentin që dikush hyn në sallën e operacionit duhet pak kohë që të rikuperohet, kështu që është një program që ka nevojë për kohë për të parë rezultatin final”, – tha Tito më tej.
E pyetur se cilat janë ndërhyrjet më të shpeshta që janë regjistruar deri tani, Kiara tha se janë të shumta, që nga më të voglat e deri tek më të ndërlikuarat: “Deri tani ka pasur nga të gjitha, ndërhyrje të vështira që kërkojnë profesionistë.”
Për një pjesë të mirë të personazheve, kamerat kanë hyrë edhe në sallën e operacionit: “Kemi hyrë edhe në sallën e operacionit, kemi asistuar edhe nga afër”, – tregon Kiara, shumë e kujdesshme për të mos zbuluar shumë.
Të qenit prezantuese e këtij formati, për Kiarën është një sfidë e re, e guximshme, por shumë e bukur: “Është një përgjegjshmëri e madhe për mua. Jam vetëm 22 vjeç dhe kam nevojë të rritem profesionalisht, të mësohem me këtë format, por të mësohem edhe me terma mjekësorë. Është një përvojë e re”, – thotë Kiara e sigurt që do t’ia dalë edhe këtë herë.
Aktualisht, një pjesë e mirë e xhirimeve janë bërë në terren. Mbetet të shihet gjatë kohës, nëse transmetime do të ketë edhe në studio. Detajet dhe imtësitë drejtuesit e programit nuk i rrëfejnë për të mbajtur gjallë kureshtjen e publikut.