Pas plot 3-vitesh mungesë në ekran, Aida Shtino është gjendur. Prezantuesja e njohur e ekranit, pas formatit “Njerëz të humbur”, është rikthyer pasditen e sotme në “Pasdite në Top Channel”, për të ndarë me publikun këtë periudhë pauze mediatike, por edhe kohë reflektimi në të njëjtën kohë: “Kjo periudhë 3-vjeçare ishte pushim, analizë me veten time dhe një lloj reflektimi”, tregon ajo pas këtij pushimi.

Kthimi në Shqipëri pas 13-vjetësh në Greqi nuk ishte i thjeshtë, por gazetarja e kujton atë kohë si një periudhë “lufte” në një kohë të vështirë: “Sapo ishte zhvilluar ndeshja Shqipëri-Greqi, ku ne fituam dhe andej u acaruan marrëdhëniet. Djali më erdhi nga shkolla duke qarë një ditë e më tha që e kishin ngacmuar ngaqë ishte shqiptar. Aty diskutuam dhe menduam të ktheheshim. E nisa karrierën te Telenorba, në emisionin “Ku je”. E nisa pas kuintave, me organizimin e emisionit, por vajza që e prezantonte e la emisionin dhe më provuan mua”.

Historitë e njerëzve në program kanë qenë nga më frymëzueset, por edhe më sfidueset në të njëjtën kohë. “Historitë e njerëzve në atë emision më kanë bërë njeri më të mirë”, - thotë Shtino.

Por, natyrisht, nuk ka kaluar gjithçka qetësisht. Aida ka marrë edhe kërcënime nga ai program: “Kam marrë kërcënime, sidomos kur kërkonim vajza të humbura, pasi hasnim në rrjete trafikantësh. Një herë, në zyrë më kishte ardhur një letër ku shkruhej se vajza që kërkonim ndodhej në adresën e shtëpisë sime. Aty u alarmova dhe kam njoftuar policinë”,- kujton Shtino.

Tanimë, gjithçka duket se ka mbetur pas. Të paktën përkohësisht. Aktualisht, Shtino është presidente e një organizate, Lions Club Tirana Elite, por ka në dorë edhe një projekt shumë të rëndësishëm për karrierën e saj. Tani Shtino ka nisur të shkruajë një libër: “Kisha menduar se mund të arrija në një pikë të tillë, por pas shumë vitesh, ndoshta në një moshë tjetër, kur të dilja në pension. Por të afërmit dhe miqtë më kanë thënë gjithmonë që të gjitha ato histori duket t’i shkruaj…

Para disa vitesh pata një ftesë në Itali. Bëmë një reportazh me një histori interesante që më frymëzoi për ta nisur tani librin. Kam filluar, jam akoma në hapat e parë. Besoj se do të jetë një roman i bazuar në ngjarje e të dhëna historike. Vetëm kaq do t’ju them. Ndoshta më vonë, pasi ta kem gati, do të vij e ta promovoj”, – tha Aida në “Pasdite”.

Për momentin, nuk ka asnjë plan për rikthim në program. Jo për fajin e saj, “Njerëz të humbur” nuk u pa me interes për të vijuar. Për fat të keq, Aida vazhdon të marrë sot akoma mesazhe dhe telefonata për familje, të cilat akoma nuk i kanë gjetur të afërmit e tyre. Ata, më shumë se të gjithë, i kërkojnë të rikthehet.