Kujt t’i vësh gishtin më parë? Njëra më e bukur se tjetra, por edhe njëra më e zonja se tjetra? Kanë filluar prej disa vitesh të jenë trend jo vetëm në botë, por edhe në Shqipëri. Larg profilit të thjeshtë “një vajzë e bukur e ekranit”, shumë prej moderatoreve të njohura të sportit në Shqipëri, duket sikur kanë të njëjtin hall – ndihen të paragjykuara nga bukuria.

Ekziston paragjykimi që femrat nuk japin dot mend për futboll, por ne bëjmë gazetari dhe nuk japim mend, pasi nuk jemi specialiste futbolli”, – thotë Hygerta Sako, moderatore dhe gazetare sportive në RTSH prej disa vitesh.

Nga studio e “Pasdite në Top Channel”, bashkë edhe me disa kolege të saj, Hyqerta tha se këtij paragjykimi, femrat nuk do i shpëtojnë dot kurrë. Sidomos nëse janë të bukura: “Paragjykimit nuk do t’i shpëtojmë kurrë, aq më tepër që imazhin e bukur e lidhin me budallallëkun. Por ka shumë vajza që janë të bukura dhe profesioniste”,- tha Sako.

Ndërsa moderatorja e Supersport, Vilma Masha, duke miratuar paragjykimet e bukurisë që një pjesë e mirë e moderatoreve të ekranit i kanë provuar shpesh, tha se: “Ekrani e do të bukurën, problemi qëndron kur ka vajza që qëndrojnë 6 muaj ose një vit dhe ikin nga televizioni”.