Në "luftën" e vazhdueshëm për barazinë gjinore, është hedhur sëfundmi edhe një hap tjetër i rëndësishëm. Tashmë, është e konfirmuar që në Islandë, kompanitë dhe agjencitë e ndryshme që punësojnë të paktën 25 persona, do të duhet të marrin paraprakisht certifikimin për politikat e pagave të barabarta. Me miratimin e ligjit më të ri në Islandë bëhet e paligjshme që paga e burrave të jetë më e lartë se ajo e grave.

Legjislacioni ka hyrë në fuqi të hënën e parë të vitit 2018-të. Sipas rregullave të reja, kompanitë e ndryshme që kanë mbi 25 persona staf duhet që fillimisht të certifikohen për politikat e pagave të barabarta, në mënyrë që të zbehen sa më shumë ndasitë me bazë gjinore. Ato kompani ose individë që nuk e respektojnë këtë ligj, do të përballen me sanksione dhe gjoba të mëdha.

"Legjislacioni në thelb është një mekanizëm rregullues për të gjitha kompanitë që kanë në stafet e tyre të punësuar meshkuj dhe femra. Për sa kohë që konfirmohet bërja e punës dhe mbarëvajtja e gjithë procesit ditor, nuk ka motive të qenësishme që një mashkull të paguhet më shumë se femra. Të gjithë duhet të paguhen në mënyrë të barabartë", është shprehur  Dagny Osk Aradottir Pind, anëtar bordi i Shoqatës Islandeze për të Drejtat e Grave.