Producenti i njohur indian, themelues i TV show-t ‘Ishqbaaz’, i ka dhënë fund jetës në moshën 40-vjeçare. Sanjay Bairagi i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga kati i 16-të i shtëpisë së tij në Silicon Park, Malad, më 2 mars. Policia e qytetit fillimisht ngriti dyshimet se Sanjay Bairagi kishte rënë aksidentalisht, por nga hetimet paraprake u zbulua se ishte vetëvrasje.

Policia, pas hetimeve, ka gjetur edhe një letër në shtëpinë e Bairagit. Pak para se t’i jepte fund jetës, Bairagi ka qenë duke festuar me miqtë dhe familjen Festën e Ngjyrave: "Familjarët dhe miqtë e Bairagi-t thanë se ai, madje, kishte postuar edhe fotot e festës në rrjetet sociale” – thuhet në deklaratën e  policisë.

Nga sa është mësuar, Bairagi kishte probleme me bashkëshorten, por edhe probleme financiare, bën me dije policia.

Bairagi i dha fund jetës rreth orës 18.00, kur bashkëshortja, djali dhe ndihmësit ishin në shtëpi. Bashkëshortja e Bairagiut mësoi nga roja i pallatit se producenti u hodh nga kati i 16-të i pallatit. "Bairagi u kthye në shtëpi rreth orës 16 dhe kishte pasu një debat me bashkëshorten para se të mbyllej në dhomën e gjumit",- tha një oficer policie.

Në letrën që la para se t’i jepte fund jetës, Bairagi shkroi se ishte faji i tij për gjithçka: "Unë nuk jam i aftë të kujdesem për tim bir dhe për familjen time siç duhet. Familja ime po vuan dhe unë kam probleme financiare. Askush nuk duhet të jetë përgjegjës për këtë."