Të gjithë i mbajnë mend vitet e tij të para, por edhe nëse jo, nuk kanë humbur asgjë, në të vërtetë, sepse Ervin Bushati, këngëtari i njohur shkodran, nuk ka ndryshuar thuajse fare që nga ajo kohë. Përshkrimi që mund të bësh është i thjeshtë. Rreth të 30-ave, i veshur rock dhe ektravagant, me xhinse të grisura dhe me kapelë – një aksesor që nuk i ka munguar as në fillim të viteve ’90 dhe as sot. Njëlloj…

Megjithatë, vitet paskan bërë punën e tyre. Jo vetëm që Ervini është bërë baba dy herë, por paska edhe djem të rritur.

Së bashku me Anteon dhe Bjornin, njëri 11 e tjetri 9-vjeçar, Ervini ishte sot pasdite i ftuar në “Rudina” për të rrëfyer për karrierën muzikore, projektet e reja, por edhe për të prezantuar për herë të parë me publikun familjen e tij.  

Ervini është rritur bashkë me muzikën dhe përmes saj, në Shkodër, qytetin e lindjes, njohu edhe në moshë shumë të re Evën, bashkëshorten e tij. Sot, ata kanë plot 13 martesë, por edhe shumë vite të tjera dashuri. Eva ishte një 17-vjeçare që kishte shkuar për të ndjekur shfaqjen në një event kulturor në Shkodër, ndërsa Ervini, 21-vjeçar për të kënduar. Aty lindi shkëndija e parë, njohja dhe më pas, natyrshëm edhe hapat e tjerë të marrëdhënies së tyre.

Duke rrëfyer për të, Ervini thotë se Eva nuk ka dashur asnjëherë të prezantohet në publik: “Ka qenë zgjedhje e saj, ka dashur vetë të jetë e rezervuar. Me sa duket, është mjaftuar me një person nga familja që është i njohur…” – tha Ervini.

Por dy djemtë, dy shokët e tij, shfaqen për herë të parë në ekran. Me pasione të moshës, por edhe përtej, ata nisin të tregojnë për raportin që kanë me babin më të mirë në botë, për cilësitë e njëri-tjetrit, si edhe për aktivitetet, kohën që kalojnë me familjen.

Koha kur ishin duke u rritur ka qenë shumë e vështirë, tregon Ervini. Ato vite, ai punonte thuajse tri herë në javë dhe kthehej në shtëpi herët në mëngjes. Me kujdes, që të mos i zgjonte nga gjumi, por e kotë, sepse jo vetëm ishin zgjaur, por ishin në krevat duke bërë sport: “Mundohesha të ndihmoja Evën që të flinte pak, por ishte e vështirë. Ishin të dy të vegjël…”

Nga eksperienca, Ervini jep edhe një këshillë për prindërit që duan të kenë një marrëdhenënie të mirë me fëmijët e tyre: "Kushtojuni vëmendje maksimale, bëhuni shokë me ta dhe lërini të jenë vetvetja."