Për asnjë motiv nuk do e tradhtonte dashurinë e saj të parë, por ja që në jetë çdo eksperiencë e re është e vlefshme për të ndërtuar bazat e forta në një terren të sigurt që garanton famë e sukses në çdo kohë e vend.
Karriera e Klaudia Pepës në Itali ka njohur vetëm ngjitje, që prej ditës së parë që ajo shkeli në shtetin fqinj. Pasi mori pjesë në edicionet e "Amicit", të shumta kanë qenë përfshirjet e saj në shfaqje baleti të rëndësishme herë si prima balerinë, dhe herë të tjerë si protagoniste e tyre, ku çdo performancë artistike e saj është duartrokitur gjatë. Me pak fjalë, suksesi është me të! Le të mos harrojmë edhe nismën e saj më të fundit, "Klaudia Dance Academy", një shkollë profesionale baleti për fëmijë dhe të rritur, ku mësohen të gjitha zhanret nga ai klasik tek baleti modern nga vet balerina e famshme shqiptare, dhe kolegu i saj Leon Çino.
Por, këtë radhë historia është ndryshe! Nuk ka kurrëfarë lidhje me baletin, por sërish figura e saj është tejet parësore. Klaudia Pepa sapo na tregoi se do të jetë imazhi zyrtar i Adidas, dhe këtë ngjarje të re në jetën e saj ajo e shpalosi përmes disa fotove të shkëputuara nga sesioni fotografik i ri. Balerina e famshme shqiptare duket shumë elegante dhe e kuruar në detaje, teksa pozon me koleksionet e reja të veshjeve dhe aksesorëve të kësaj marke sportive, që këtej e tutje do të prezantohet me një imazh shqiptar.
Shumë suksese për Klaudian!