Aktori i mirënjohur i humorit, Albano Bogdo ditën e sotme ndau një lajm të trishtë me fansat e tij. I njohur për sensin e tij të humorit, u duk se kjo do të ishte një shaka e tij e radhës, por jo Albano dukej tepër i vendosur.
Në një video të postuar në profilin e tij në Instagram, Albano shpjegon se për arsye personale dhe shëndetësore ai ka vendosur të heqë dorë përfundimisht nga aktrimi.
“Nuk kam qejf t’i quaj njerëzit fansa, gjithmonë më është dukur një term koti. Kështu që të dashur miq, dashamirës dhe thjesht njerëz kuriozë që më ndiqni, dua t’iu njoftoj se për arsye personale dhe shëndetësore kam vendosur të heq dorë përfundimisht nga aktrimi, totalisht dhe në çdo lloj forme. Do t’ju falenderoj për mbështetjen, fjalët e mira edhe ato të këqija. Dua të falenderoj këdo që ka punuar me mua pa përjashtim dhe ju dua fort të gjithëve dhe këdo që kam lënduar pa dashje, ju kërkoj ndjesë dhe i uroje një jetë të lumtur dhe plot bekime.” thotë aktori i njohur i humorit në video-n e postuar në Instagram.
Por në një tjetër video të postuar pak minuta më parë ai zbuloi më tepër për miqtë e tij.
“Është e tmerrshme kur nuk të lënë të jetosh jetën siç do vetë. Sapo postova një video ku tregoja se po heq dorë nga aktrimi dhe e kisha shumë seriozisht. Më mori në telefon Angela Merkel dhe më tha që është kusht i panegociueshëm i hapjes së negociatave, ndaj nuk di çfarë të bëj, ta lë aktrimin apo jo. Pa hapjen e negociatave nuk heq dorë nga aktrimi”.
Me humorin që e karakterizon Albano na sqaroi njëherë e mirë se nuk do heqë dorë nga aktrimi. Tani u qetësuam, por shpresojmë që një lajm i tillë mos të dëgjohet më.