Është hall apo qejf të jesh gruaja e Kryeministrit?

Linda Rama qesh pak: Ti mund të bëhesh kryeministër, por ti mund të bëhesh edhe gazetar me këtë super pyetje. Hall nuk është, e sigurt. Nuk është hall, sepse kryeministrin e zgjedh populli t’i drejtojë. Dhe është një vlerësim i madh dhe një peshë që ia vlen ta mbash.

Kur Lindi Zaho a qave?
Të gjitha mamatë qajnë, se fëmija është bekim. Këtë që do them, e dinë të gjitha mamatë: Mrekullia është vetëm fëmija.

Po të bëhesh ti kryeministre, çfarë do bëje për popullin?
Nuk do bëja sa bën Edi, kjo është e sigurt. Por po fantazoj si Piterpanistat. Për një minutë, mund të mendoni se do t’u jepja një vëmendje të madhe fëmijëve që kur lindin e deri në moshën 10 vjeç. Do të modernizoja sitemin e edukimit në kopshte e shkolla, sepse unë mendoj se fëmijët janë e vetmja Europë që ne kemi.

Kush e ka rrogën më të madhe, ti apo ai Edi?
Familja krijojet nga dashuria dhe jo nga pasuria. Ajo është e vetmja vlerë. Nuk janë të tjerat, kush ka rrogën më shumë e kush më pak. Ju jeni shumë të vegjël që të merreni me lekun tani. Juve ju duhet vetëm dashuria.

A ke hequr dorë nga gjëra të jetës pas martesës me Edin?
Kam fituar shumë nga lidhja me Edin, por sigurisht më është dashur të heq dorë nga disa gjëra të jetës time më parë se të takoja xhaxhi Edin. Ja p.sh: Unë jepja mësim dhe më mungojnë studentët dhe klasat.

A qan Edi Rama?
E kam parë lotin e Edi Ramës, kur ka humbur miqtë e ngushtë.

Edi Rama në televizor është nevrik, po në shtëpi?
Joo, ai nuk është nevrik. Ai është i qetë dhe kur qeveris, edhe kur rri në shtëpi në divan, edhe kur i bie asaj dajres. Nuk është e vërtetë që Edi Rama është nevrik, ai është një burrë i qetë.

A mërzitet djali kur je në punë gjithë ditën?
Ne punojmë të gjithë: Rea, Gregu, mama Linda dhe babi Edi. Ne e shijojmë mëngjesin, bëjmë gara kur ikim në kopësht. Por telefoni na bën shumë punë. Ndajmë foto dhe video dhe na mundëson që ta shijojmë më shumë njëri-tjetrin edhe gjatë ditës kur nuk jemi bashkë.

Kush gatuan në shtëpinë tuaj?
Në fillim Linda fillon të tregojë me shaka: Xhaxhi Edi, sigurisht gatuan. Pjatë të parë, të dytë, të tretë, lan enët, pastron shtëpinë, bën pazaret… të gjitha ai i bën. Pastaj tregon të vërtetën: Gatuan mama Linda, sepse mendoj se shija e duarve të mamit është e jashtëzakonshme.

Kur shkoj te mamaja e Edit, që është mjeshtre e rafinuar, ushqimi i duarve të saj është më i miri në botë. Edhe kur shkoj tek mamaja ime, prapë është ushqimi më i mirë në botë. Kështu që gatuaj unë dhe Edi vazhdon të pëlqejë angjinaret.

Cila është fjala e para që ka thënë Zaho?
Ba ba ba ba…

A të ka bërë Zaho ndonjë pyetje të çuditshme?
Ju eksploroni tërë kohën dhe është kjo mosha 3-4 vjeç që të surprizoni. Para pak ditësh kisha vënë pak qumësht për ta ngrohur, kurse ai po merrej me lodrat e veta. Qumështi u derdh dhe mamatë dhe gjyshet tuaja e dinë se çfarë është të të derdhet qumështi. Dhe unë po thoja: Obobo ç’bëra more Zaho, derdha qumështin, bëra një gabim. Ai më tha i qetë: mos u mërzit. Ti herën tjetër nuk do ta bësh më. Qetësohu. M’u përgjigj siç e kanë mësuar edukatoret. Të nesërmen i thashë sa mirë që më qetësove, kurse ai më tha: mama Linda, ti ishe e vogël kur e bëre gabimin? Jo, i thashë, nuk bëjnë vetëm të vegjlit gabime, bëjnë edhe të rriturit, të cilët kërkojnë edhe faje.

Pse vishesh me të zeza?
Sepse është elegante. Por një njeri i madh që pëlqente të zezën ka thënë: Të gjitha ngjyrat më pëlqejnë, boll që të jenë të zeza. Por unë sonte nuk kam veshur vetëm të zeza, kam edhe të kuqen.

A të ka bërë Edi Rama ndonjë dhuratë romantike ty?
Edi është artist dhe artistët kanë doza të mëdha romance brenda. I bëjnë dhuratat spontane. Mund të gjesh një bluzë të pikturuar apo një vezë pashke, ku me ngjyra shkruhet një mesazh për ty.

A thotë Edi “më fal” kur bën gabime?
Të gjithë njerëzit bëjnë gabime dhe thonë “më fal”, po ka disa profesione dhe politikani është një ndër ato që kanë këtë pjesë, por Edi e ka kaluar këtë fazë. Di të thotë “më fal” edhe heshturazi edhe me zë të lartë.

Si ka qenë fëmijëria jote?
Të gjitha fëmijëritë janë të bukura. Edhe gjyshërit tuaj thonë se kanë qenë të bukura, të gjitha janë të bukura dhe me kalimin e kohëve rritet nostalgjia dhe kthehet në kurth. Kam kaluar tre fëmijëri: një fëmijëri e imja, një e Reas dhe Gregut se janë në të njëjtën moshë, dhe një e Zahos. Fëmijëria është aromë, është ndjesi, para ca ditësh ndjeva trëndafilin e gjyshes se kisha nevojë për aromën e gjyshes. Mbesa ime e quajti dashurinë e tyre si ata që i mësojnë harmonitë fëmijëve.

A ke frikë nga gjilpëra?
Kam po tani e kam kaluar, ama kur isha e vogël kisha shumë frikë. Mbyllja edhe veshët edhe sytë se më duket se kisha më pak dhimbje dhe ndërkohë dëgjonim një zë: mos u shtrëngo, mos u shtrëngo, mos u shtrëngo.

Pyetjet nga publiku në rrjet

Çfarë mendimi keni për shprehjen “Pas një burri të fuqishëm qëndron një grua e madhe?
Është një shprehje që është konsumuar mjaftueshëm. Unë mëndoj se pas kësaj duhet të ketë një shprehje tjetër, që një burrë i madh dhe një grua e madhe janë produkt i një nëne të madhe dhe i një babai të madh.

Kë do më shumë, Edin kryetar i bashkisë apo Edin si kryeministër?
Unë dua Edin. E kam admiruar Edin si kryetar i bashkisë, e admiroj si kryeministër, si piktor dhe si publicist, por kur të mos jetë më kryeministër do ta dua shumë përsëri Edin.

Je lodhur nga politika e Edi Ramës?
Politika nuk të kursen, veçanërisht familjarët dhe i vë në provë me durimin më të madh dhe mendoj se medalja e durimit më të madh i takon nënës së Edit, por meqë jemi në një format fëmijësh, unë e mbaj mend shumë mirë kohën e fëmijërisë së Reas dhe Gregut, në vitet ’90, që ka qenë një Shqipëri e çoroditur dhe një Tiranë shumë çoroditur. Ngjyrat e tyre ishin të trishta. Po si mund të na lodhë neve familjarëve politika e Edi Ramës, kur shohim një Tiranë tjetër? Unë kam ëndërruar gjithë vizionin e Edi Ramës kur ishte kryetar bashkie dhe shoh që sot se vizioni i tij është i kryer dhe është një një stacion pa kthim. Kush shoh Sheshin Skënderbej që është rendistur në një ndër 25 finalistet e konkursit për hapësirat më të mira publike të Evropës. Unë do doja ta shihja fitues atë projekt. Dhe kur e pamë dy tre ditë përpara që u mbush plot dhe ne pamë një përmasë tjetër në kryeqytet.

Si mund të lodhesh nga politika e Edi Ramës kur sheh Lungomaren. Unë kam qenë atje dhe kam parë shumë fëmijë që luajnë, kam parë shumë të moshuar që pinë kafe dhe marrin lirshëm ajrin e detit. Si mund të lodhesh nga politika e Edi Ramës, kur sheh Tamarën, një stacion i jashtëzakonshëm turistik në Alpe, kur sheh liqenin e Pukës, që është pjesë e zonës këmbësore të qytetit. Unë kam qenë shumë herë në Korçë dhe nuk e kisha parë kurrë pazarin e vjetër dhe kam parë dhe Edin aty që ndiqte nga afër atë projekti të madh, së bashku me parkun olimpik dhe së bashku me muzeun e ikonave. Si mund të lodhesh nga politika e Edi Ramës kur ka shumë njerëz të pasiguruar që sot rimbursohen me ilaçe, fëmijë të ciklit të ulët që marrin librat falas, që ka një kontroll të check up-it të detyrueshëm për të parandaluar më tej sëmundjet. Kam qenë shtatzënë me Zahon dhe kam pasur një problem shumë të madh, sepse në çdo ambient publik ku futesha ka pasur shumë tym duhani dhe maksimumi që bëja atëherë ishte që t’u lutesha atyre në tavolinë, që pinin të gjithë: a mundet ta shuani duhanin? Se nuk e përballoja dot në kushtet e shtatzënisë. Kurse sot nuk ka më duhan në mjediset publik. Si mund të lodhesh nga politika e Edi Ramës kur ne shqiptarët me qindra vite kokën e kemi pasur nga Europa dhe Europa është një hap larg, pothuajse e kemi prekur dhe jam e bindur që përtej barrës së madhe që politika krijon, ajo ka ardhur për të bërë mirë dhe kjo nuk duhet harruar kurrë. Mendoj se çdo njeri i medias dhe i politikës që ka një mikrofon në dorë duhet të kuptojë se pas mikrofonit dhe ekranit pas zemra njerëzish, ka ndjenja dhe dëshira të mëdha. Dhe jam e bindur se fëmijëria e fëmijëve që janë tek Piter Pani, fëmijëria e Zahos dhe fëmijëve që do vijnë do ketë shumë gjëra që kanë brenda shijen dhe estetikën e Edi Ramës sesa ngjyrat e trishta të Tiranës të viteve ’90. 

E keni diskutuar në familjen tuaj që Shqipëria të bëhet po aq e bukur dhe komode sa shtëpia juaj?
Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët. Çdo familje sot përpiqet të rregullojë të mirën e vet brenda mureve të shtëpisë, por asnjëherë, sado e bukur të jetë një shtëpi, nuk do ishte aq e bukur pa Shqipërinë, shtëpinë e madhe. Dhe ne të gjithë duhet të përpiqemi që Shqipëria, shtëpia jonë e madhe, të bëhet e bukur e paqtë dhe më shumë ngjyra e komode për brezat që do të vijnë.

Xhamia që po ndërtohet në Tiranë mendon se po e afron apo po e largon Shqipërinë nga Evropa, po të kemi parasysh se shumica e Evropës është e krishterë?
Unë mendoj se bashkëjetesa jonë fetare është diamanti i kombit në zemër të Evropës. Në qoftë se në ngjarjet që ndodhën në Francë simbolika e bashkëjetesës bëri spektaklin e jashtëzakonshëm në mes të Parisit dhe u duartrokit, e bëri se ishte e vëretë. Nëse ajo bashkëjetesë nuk do ekzistonte, ajo do shihej si një simbolikë pa vlerë. Unë mendoj se është një nga vlerat e mëdha të kombit që e ka dhe duhet ta kultivojë bashkëjetesën fetare, veçanërisht në ditët që jemi dhe mendoj se xhamia është një institusion i merituar i popullsisë që praktikon dhe beson. Ashtu siç ëhstë një institucion i merituar Kisha Katolike, Kisha Ortodokse brenda lirisë së individit për të besuar.

Ndihesh një grua me fat që ke bashkëshort Edi Ramën?
Ndihem e privilegjuar që kam bashkëshort Edi Ramën.

Çfarë qëndrimi keni për epokën virtuale në të cilën jetojmë?
Ka ndodhur një revolucion i madh jo vetëm në Shqipëri, por në botë sot, që është teknologjia e informacionit dhe për çudi, bota dhe aq më shumë Shqipëria, ishin të papërgatitura për t’i paraprirë këtij revoluciuoni. Mendoj që duhen ftuar në skenë sot mendimtarë, filozofë, sociologë, të flasinmë shumë për këtë botë. Unë kam parë statistika dhe teknologjia e informacionit dhe interneti është një realitet në Shqipëri. Statistikat e tregojnë dukshëm këtë. Nuk është çështja do ta pranojmë apo s’do ta pranojmë. Ai është mes nesh, ndodh çdo ditë në familjen tonë ne nuk mund t’u themi njerëzve mos ua lini fëmijëve telefonin, mos ua lini internetin. Kjo është një fazë e ezauruar dhe do të thotë të shkaktosh më shumë konfuzion tek prindërit aq më shumë tek gjyshërit. Nuk besoj që nuk ka një prind që nuk e ndjen peshën e frikës se çfarë ndodh pas atij ekrani çdo ditë në duart e fëmijëve dhe të rinjve veçanërisht. Duhet të shkojë më tek gjithë ky diskutim në kushtet kur ne duhet ta pranojmë dhe të fillojmë të mendojmë për të parë se si interneti mund të përdoret dhe të kthehet në përfitimin tonë dhe nuk duhet të harrojmë që ky revolucion ka sjellë aq shumë gjëra të mira, siç është mjekësia për shembull, gjëra që më përpara as që imagjinoheshin sot shpëtojnë jetë njerëzish, por ndërkohë ne duhet ta kthejmë në të mirë të njerëzimit dhe kemi nevojë të dimë se si do ta përdorim internetin, kush janë platformat që nuk shkaktojnë rrezik për fëmijët dhe prindërit këto nuk kanë se si t’i dinë. Duhet të ketë hapësira televizive. Veçanërisht radiotelevizioni publik shqiptar duhet të krijojë hapësirën e këshillimit për prindërit dhe për të rinjtë, për të parandaluar ato fenomene që ne i kemi frikë brenda vetes sonë dhe për më tepër ne duhet të përpiqemi shumë të gjithë që mos ta lejomë ekranin që të na vërë hije mbi dijen dhe shpirtin njerëzor. Këto të dyja duhet ta sfidojnë atraksionin e kotë dhe garën për vëmendje të internetit.