Mbrëmjen e kaluar 4-finalistët e MasterChef Albania Junior garuan për të fituar një vend në finalen e 12 qershorit.
Ndonëse për jurinë ishte mjaft e vështirë të zgjidhte mes 4 masterchef-ave të vegjël, Roelti 11 vjeç dhe Denisa 13 vjeç do të gatuajnë javën që vjen për duelin e fundit në kuzhinën e “MasterChef Albania”.
Dy finalistët do të përgatisin secili një menu me tre raunde: antipastë, pjatë kryesore dhe embëlsirë.
Fituesi i edicionit të parë të MasterChef Albania Junior do të jetë fitues i kupës së MCH si dhe një udhëtimi familjar në Disneyland.
Gjithashtu do të ketë edhe dhurata për fëmijët e tjerë të cilët ishin pjesë e këtij kompeticioni duke dhuruar çaste të paharrueshme në ekran. Mbështetje për finalistët e këtij edicioni ka shprehur edhe fituesi i MasterChef 2 për të rritur Bleri Dervishi, i cili ka shkruar: “Fitoftë më i miri! Por sigurisht që të dy jeni fitues,”-përfundon Dervishi.
Ndërkohë kanë nisur aplikimet për edicionin e dytë të këtij formati televiziv ku duket se interesi i fëmijëve për kuzhinën e MCH është mjaft i madh për shkak të kërkesave të shumta për t'u bërë pjesë e emisionit.
Megjithatë jemi ende në pritje të finales për të parë se cili kuzhinier i vogël do të fitojë çmimin e parë si dhe statusin e “Masterchefit” të parë për fëmijë.