Disa nuse janë thjesht ndryshe nga të tjerat… Ndërsa modelet e veshjeve të nusërisë që ofrohen janë kaq afër tradicionales dhe i ngjajnë kaq shumë njëra-tjetrës, ne mendojmë se ka ardhur momenti të kënaqim edhe shijet e nuseve që nuk janë të zakonshme dhe bëhet fjalë për detaje që nuk i shohim shumë shpesh në një fustan.

Prisni, thamë fustan? Nuk bëhët fjalë vetëm për të tillë. E kemi fjalën për çdo gjë të bardhë e të ëmbël, çdo “shtesë” interesante, çdo ekstravagancë që sjell risi…

Vërtetë që nuk jemi mësuar të shohim shumë shpesh nuse që dalin nga korniza që tradicionalja ka diktuar prej kohësh por, në një kohë që moda po evolon me shpejtësi, ka ardhur momenti që edhe nusja të ndjehet sa princeshë, aq edhe moderne, e pavarur dhe komode.

Në sfilatën e fundit të CLASS by Alketa Vejsiu u prezantuam me një koleksion të veçantë veshjesh nusërie të cilat i ngjanin vërtetë një shfaqjeje mode, që nga nusja me pantallona të gjera e deri te nusja ekstravagante që guxon të ekspozohet me klas në ditën e saj më të rëndësishme.

Më poshtë po ju prezantojme me 5 ide “bombastike” veshjesh nusërie të krijuara në atelienë Class:

 

Pantallona me vello nusërie
Kishit parë ndonjëherë nuse me pantallona? Ja ku vjen një sugjerim nga Class Atelier. Moderne por pa ikur nga ëmbëlsia e vellos së nusërisë, kjo veshje sjell “ajër” për vajzat moderne që dëshirojnë të duken ndryshe!
Body me vello nusërie
Ekstravagantja është gjithmonë e bukur kur ndërthuret me klasin dhe elegancën. Ekspozimi është gjithashtu i bukur kur përcillet me finesë… Një veshje nusërie ndryshe nga të tjerat, e përshtatur për nuset “guximtare” që dëshirojnë të thyejnë rregullat…
Fustan nusërie me detaj trëndafili
Eleganca është elementi i vetëm që s’duhet të ikë kurrë nga një fustan nusërie… Mund të heqim e të shtojmë shumë detaje por një gjë s’duhet ta cënojmë asnjëherë, finesën që ngjyra e bardhë e kërkon me patjetër. Trëndafili është një “aksesor” që i shton vellos sharmin dhe e bën atë të shkojë larg të zakonshmes…
Fruda, fruda, fruda
Madhështore por njëkohësisht moderne! Frudat janë elementi që duket se nuk do t’i ikë kurrë koha dhe një fustan i tillë është sa larg aq edhe afër fustanit të zakonshëm të nusërisë. Madhështia që tylet e krijuara me kate sjellin, prezantojnë një frymë të re dhe një prekje të veçantë tek çdo nuse që guxon në ditën e saj më të rëndësishme.
Lule, lule, lule
E bardha nuk del kurrë nga moda e veshjeve të nusërisë por, nëse shtojmë disa detaje lulesh e petalesh me ngjyra pasteli, fustani thjesht duket më i bukur dhe më i veçantë.