Për herë të parë që nga viti 1998, Kroacia siguroi mbrëmë nje vend në gjysmëfinalet e Botërorit, pas një ndeshjeje të fortë me skuadrën vendase, Rusi. Dhe pas çdo goli që shënohej në fushë, e dini cila ishte skena që inkuadrohej e para nga regjia? Festa e Presidentes kroate, Kolinda Grabar – Kitarovic, sa herë bënte gol skuadra e saj dhe shtrëngimi i dorës me Kryeministrin rus, të cilin e kishte në krah në zonën VIP të stadiumit.

Pas rezultatit final, kur fituese doli skuadra kroate, Kolinda Grabar nuk mundi ta përmbante entuziazmin, madje edhe ka kërcyer para syve të Kryeministrit rus, Medvedev.

Edhe pse kjo nuk ishte hera e parë që Presidentja kroate Kolina ndiqte nga afër skuadrën e vendit të saj, videot e festës edhe me djemtë e kombëtares kanë bërë xhiron e rrjetit duke u bërë virale e duke u shoqëruar me mijëra komente e përgëzime.

Dhe sikur të mos mjaftonte ky fakt, që të gjithë kroatët ta duan më shumë Presidenten e tyre, edhe gjatë fluturimit me avion, Kolina ka zgjedhur klasin ekonomik, për të festuar me të gjithë pasagjerët në bord.