Ta kesh jetën aq adrelinë sa të jetosh më shumë në avion sesa në krevatin më të rehatshëm në botë, në shtëpi, me siguri duhet të jetë një energji e jashtëzakonshme. Ata që janë sa në qytet në tjetrin, sa në një koncert në tjetrin e sa në një shtet në tjetrin, këtë pjesë e njohim mirë. E sidomos këngëtarët që as kohën nuk e ndjekin dot më… Madje, as ditëlindjet nuk dinë ku i festojnë…

Por Arilena Ara, familja dhe të gjithë miqtë e saj kanë bërë një pakt për këtë. Ditëlindjet nuk mund të kalohen kurrë si në vendlindje. Ngado që të jesh e ngado që t’i kesh koncertet. Rikthimi pranë njerëzve që mezi të presin gjithmonë është i pazëvendësueshëm. Ndaj edhe Arilena s’mund ta kalonte tjetërkund 20-vjetorin e lindjes. Menjëherë pas performancës në Fun Zone në Moskë, pas finales së Kampionatit Botëror, këngëtarja dhe grupi i saj morën rrugën drejt Tiranës – ku më mirë se aty mund të pritej 20-vjetori?

Herën e fundit që kishte pasur një surprizë si kjo, kishte qarë. E kuptueshme, e natyrshme. Sidomos kur e di që njerëzit që ke pranë vetes të ndjekin në çdo sukses, në çdo rënie e ngritje e në çdot vit më shumë që feston me ta…

Kështu erdhi edhe Arilena. Fluturimi Moskë – Tiranë, sa i gjatë, aq edhe i lodhshëm, u shua nga kujtesa dhe u largua si me magji sapo këngëtarja hapi derën e njërit prej restoranteve më të frekuentuar në kryeqytet. Të gjithë ishin bërë gati për festë dhe nisën këngën “Happy birthday.” E emocionuar, ajo tha se herën e fundit që i kanë bërë surprizë, qau. Kështu si edhe këtë herë. Nga video, dëgjohet një zë që është i bindur se edhe kjo e sotmja këtë qëllim ka – ta bëjë të qajë nga emocionet.

 

Gjithçka në këtë vend, e kuruar deri në detaje nga Class Events, në pamje të parë shumë elegant, flet me gjuhën e Arilenës. Aq sa duket i ftohtë nga e zeza e theksuar, aq është i zjarrtë nga entuziazmi i saj dhe i të gjithë miqve. Është mbledhur rrethi i ngushtë i miqve dhe bashkëpunëtorëve për të organizuar të gjithë këtë.

Një tryezë private e krijuar me kontraste. E zezë, e artë, rozë e lehtë dhe e bardhë. E zeza dhe e arta qëndrojnë gjithmonë bashkë duke u kombinuar me shandanët, aksesorët e tryezës, me qirinjtë dhe me dritat e mugëta që e bënin atmosferën edhe më private. Por, mbi të gjitha, detajet e dekorit, qëndronte orkideja e bardhë – lulja simbol e pastërtisë dhe e shpirtit të lirë, ashtu si Arilena.  

Mbi pjatë, siç e shihni ka edhe një frazë përfaqësuese të Arilenës: “Bëje jetën tënde të jetë si çdo notë e ëmbël që vetëm ti mund të këndosh”. Në krah të saj, edhe një zemër e pastër.

“Pure heart” është ëmbëlsira në fund të festës që identifikon zemrën e pastër e bujare të këngëtares. Gjithçka e krijuar në këtë vend ishte magjike dhe unike, aq sa zemra e saj.

Kishte vetëm një mungesë që ndihej në ajër. Sikur të ishte edhe ai në këtë 20-vjetor… Por Arilena e di. Shpirti i të atit, fle dhe shëtit edhe përmes këtyre orkideve të bardha. Ndaj lotët janë të kuptueshëm.