Në këto ditë të nxehta gushti, pothuaj të gjithë janë zhvendosur në jug – aty ku freskia, uji, natyra, mali dhe deti bëhen një dhe të pazëvendësueshëm me asgjë tjetër në botë. Megjithatë, nuk janë të vetmet gjëra që mund të të kënaqin gjatë këtyre ditëve kur temperaturat nuk dinë të ulen. Për të gjithë ata që nuk preferojnë të rrinë gjatë gjithë ditës në diell, por preferojnë të vizitojnë vende që promovojnë kulturën, traditën dhe historinë tonë, ka gjithmonë hapësira.

Më 11 gusht, në Lunxhëri dhe në rrethinat e saj, një sërë aktivitesh kulturore, jo vetëm që do t’jua mbushin ditën, por edhe do t’ju ushqejnë me informacione për traditat e lashta të kësaj zone, ashtu si edhe me recetat tradicionale që nuk duan t’ia dinë nëse bota ecën me shpejtësinë e dritës – ato shijojnë edhe më shumë, sepse u janë besnike duarve të gjysheve.

Në Dhoskat, një prej fshatrave më të vizituara të zonës, do të organizohen një sërë aktivitetesh që promovojnë agroturizmin e këtyre rrethinave. Banorët e zonës, njohësit më të mirë të produkteve organike të prodhuara në këtë vend, do t’ju ofrojnë të shijoni gjithçka të përgatitur nga duart e tyre. Duke nisur që nga trahanaja, te mjalti i luleve e gjithçka tjetër kjo zonë ofron, këtu do t’i gjeni të rralla e të pakrahasueshme me asnjë shije tjetër.

Njëlloj do t’ju presin edhe në Vuno, edhe në Përmet. Më 14 gusht, në Kosinë, “gara” e agroturizmit do të vijojë me ushqimet tradicionale të këtij rrethi që nuk ka shembull të dytë në asnjë vend. Festa lokale, edhe këtu ka për qëllim të promovojë gatimet e gjysheve, duke nisur që nga byreku, turshitë, glikotë e çdo gjë tjetër që ofrojnë duart e arta të amvisave.

Nëse ndodheni në jug dhe diku afër Lunxhërisë, Përmetit apo Vunosë, shijoni disa ditë me traditat shqiptare të zonave. Nuk janë të gjitha, por 10 arsyet kryesore pse duhet ta vizitoni këtë zonë, i rendit më poshtë, Dhurata Thanasi (themeluese e “Luga e Argjendtë”), jo vetëm një ‘food lovers’, por edhe njohëse e mirë e shumë zonave e recetave tradicionale në zonat më të thella të Shqipërisë. Kështu që, duhet t’i besoni!

10 arsye përse duhet vizituar Lunxhëria

1. Për qytetin e lashtë të Antigoneas.

2. Për mbetjet arkeologjike të fshatrave të lashtë Dhoksat, Këllez, Erind, Saraqinishtë.

3. Për malin Bureto dhe ujin e pastër.

4. Për vendin ku u lindën ndërtuesit më të famshëm të ujësjellësve dhe puseve shqiptare (deri në perandorinë osmane).

5. Për të soditur kostumet popullore dhe gurën lunxhiote.

6. Për byrekun lunxhiot me lakra, të përmendur edhe nga Lord Bajroni.

7. Për mjaltin e luleve dhe gatimet në saç.

8. Për trahananë lunxhiote.

9. Për lumin e Suhës.

10. Për festën e famshme të Divanit Lunxhiot.