Historia e një qyteti nis nga një legjendë dashurie. Vëllezërit Tomorr dhe Shpirag luftuan me njëri-tjetrin për dashurinë e një zane, por nga ai dyluftim patën të dy fund tragjik. Akoma edhe sot, Tomorri i tregon dritës së diellit gropat që ka në gjoks, Shpiragu vijat e thella, ndërsa Zana, e pikëlluar nga humbja e të dyve, vazhdon të qajë. Lotët e saj krijuan lumin Osum që gjarpëron përmes qytetit të Beratit.

Aq magjike sa legjenda është edhe sot e kësaj dite Berati - me një histori të lashtë mbi supe. Qyteti i njëmbinjëdritareve ua fal madhështor këtë pamje të gjithë vizitorëve, të vjetër e të rinj dhe gjithçka, si të pikturuar në telajo, ia servir me krenari kohës. Por nuk ofron vetëm kaq. Jashtë telajos që shkrin ngjyrat me njëra-tjetrën, brenda qytetit, ka njerëz të urtë e dashamirës, që presin e përcjellin në shekuj vizitorë që ua tregojnë legjendën dhe historinë e qytetit të tyre të gurtë si asnjë historian ka mundur ta bëjë.

Nuk janë të vetmit elementë, por janë të mjaftueshëm për të menduar që Berati meriton më shumë vëmendje nga të gjithë. Rreth pesë vjet më parë, kur ngjizi ideja e Festivalit MultiKulturor, ishin të shumta arsyet që çuan grupin organizator të mendonte për të zgjedhur këtë qytet për një festë të përmasave të tilla. Qyteti i njëmbinjëdritareve, në të vërtetë ka një mbi një arsye për të të tërhequr pranë vatrës së tij; të ofron turizëm kulturor, me një rëndësi madhore në zhvillimin ekonomik, të ofron objekte të kulturave të ndryshme që kanë ndikuar në historinë e qytetit, nga lashtësia, tek Mesjeta Bizantine, te komplekset otomane e deri te rrënojat e lëna pas nga koha e komunizmit. Berati ruan gjurmët e kulturave dhe religjoneve të ndryshme, objektet e të cilave gjenden fare pranë njëri-tjetrit, nga islami, helvetizmi te kristianizmi apo te legjenda se aty është varrosur një profet hebre.

Të gjitha këto nuk janë pak, ndaj edhe emri MultiKulturor ishte i denjë për një qytet si ky. Berati është i larmishëm dhe ka njerëz githmonë e më shumë dashamirës ndaj kulturave të të gjithë botës. Kështu, ku më mirë se në Berat mund të organizohej Festivali MultiKulturor? Rrugëtimi do të nisë në datat 19, 20 dhe 21 korrik 2018, në edicionin e tij të 5-të. Në brendësi të këtij eventi do të ketë arte pamore, trashëgimi kulturore dhe muzikë nga tabani folkloristik shqiptar.

Folklori muzikor është një nga pasuritë kryesore të Shqipërisë, gjurmët e të cilit janë provuar prej shekujsh. Në objekte të ndryshme arkeologjike – skulptura, basoreliefe, terrakota, etj., janë përfiguruar qartë vegla popullore, që përdoren deri në ditët tona, valltarë, këngëtarë, kostume karakteristike, etj. Një pjesë të kësaj pasurie, prej të dyja anëve të Shkumbinit, do të presë Berati shumëshekullor në datat 19, 20 dhe 21 korrik, një improvizim që të çon thellë në histori, për të njohur dasmën e rrallë shqiptare dhe çdo element tjetër tradicional, për ta përmbyllur në një mbrëmje atmosferike, në tingujt e muzikës së Shpat Dedës.

Ku tjetër?! Në këtë edicion të pestë të Festivali Multikulturor Berat, mblidhemi të gjithë aty. Dhe mos harroni hashtagun: #UnëJamTrashëgimi